Haradinaj ende nuk është mandatar, ftesa për partitë politike është e hershme

Periskopi.com Intervista

Ramush Haradinaj ende nuk është caktuar mandatar zyrtar nga PAN-i, dhe ende nuk është nominuar zyrtarisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për mandatar. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë politologu Ramush Tahiri. Ai thotë po ashtu se në aspektin politik, në Kosovë tashmë vetëm ekziston kriza.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Tahiri, kandidati i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj ka ftuar partitë politike në bisedime për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Megjithatë, Vetëvendosje dhe LDK nuk i janë përgjigjur kësaj ftese. A është ky paralajmërim për krizë në këto negociata që në start, sidomos për faktin se LDK-ja nuk e sheh veten në kombinime me PAN-in, nëse aty është PDK-ja?

Ramush Tahiri: Së pari, ftesa e Ramush Haradinajt është e hershme sepse ende nuk është caktuar mbledhja konstituive e Kuvendit të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi. Dhe e dyta, ende nuk është caktuar mandatar zyrtar Ramush Haradinaj nga PAN-i, sepse ende nuk është mbajtur asnjë mbledhje e PAN-it pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, ku do të dalin me kandidat të përbashkët dhe nuk është nominuar zyrtarisht nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për mandatar.

Këto janë çështje procedurale, dhe pa u kryer këto çështje, asnjë ftesë nuk konsiderohet zyrtare, as nga Vetëvendosje e as nga LDK-ja. Çështje tjetër është çështja parimore dhe politike.

Në zgjedhjet e kaluara ne kishim një bllokadë gjashtëmujore dhe e kishim një izolim të plotë të PDK-së, e cila edhe pse ishte parti fituese, rrezikonte të mbetej në opozitë, nëse nuk e merrte LDK-në në koalicion dhe nuk e dorëzonte funksionin e kryeministrit.

Tash, arsyet janë parimore të LDK-së, sepse nuk dëshiron të bashkëpunojë më PAN-in derisa PDK-ja është brenda, por është deklaruar se dëshiron të bashkëpunojë me AAK-në dhe Nismën. Mirëpo, nëse AAK dhe Nisma, ndahen eventualisht nga koalicioni PAN, atëherë pozita e kryeministrit nuk është e sigurt që i takon AAK-së ose Ramush Haradinajt.

Kriza vetëm ekziston dhe këto janë arsyet që nuk po dekretohet as mbledhja e Kuvendit sepse po sigurohet që kur të caktohet mbledhja e Kuvendit, diskutimet paraprake të jenë të përfunduara dhe të kemi një koalicion qeverisës. Koalicioni qeverisës duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës dhe tek më pas të ndahen funksionet ministrore.

Ne nuk kemi tjetër, veç ofertës dashamirëse edhe vullnetit të Ramush Haradinajt, pra nuk kemi një program dhe i cili as që është publik e as që u është prezantuar koalicioneve të tjera, qoftë Vetëvendosjes apo koalicionit LAA (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa. Dhe nga ftesa që është dorëzuar me shkrim nuk kuptohet komplet qëllimi rreth të cilit duhet të bashkohen për të ndërtuar Qeverinë.

Radio Evropa e Lirë: Sa e shihni ju të mundur një koalicion pa PDK-në?

Ramush Tahiri: Sa u përket numrave është e mundur. Sa u përket procedurave është e vështirë, sepse njëherë duhet të konsumohet kandidati i PAN-it. Do të thotë, nëse është Ramush Haradinaj i dekretuar, duhet që ky kandidat të rrëzohet në Kuvend dhe mandej t’u jepet mundësia koalicioneve të reja. Mundet që prapë të jetë Ramush Haradinaj, por në një koalicion të ri, në lidhjen Vetëvendosje, Aleanca, Nisma dhe LDK.

Radio Evropa e Lirë: Mund të jetë pak sa hipotetike, por nëse kandidati i PAN-it nuk arrin formimin e qeverisë brenda afatit dhe vjen në shprehje rasti i dytë, si e shihni ju diskrecionin e Presidentit – mund t’i jap ai mandatin edhe një partie jo fituese të zgjedhjeve, por që ka krijuar shumicën parlamentare pas zgjedhjeve?

Ramush Tahiri: Në opinion është krijuar një qëndrim i gabuar. Presidenti diskrecionin nuk e ka personal, por e ka institucional, të bazuar në Kushtetutë dhe ligj. Presidenti nuk mundet, edhe po të dojë, që të mos ia jep partisë së dytë apo të tretë fituese dhe jo të parës, sepse nëse ia beson vazhdimisht të parës, atëherë nuk kanë kuptim koalicionet paszgjedhore dhe dhunohet vullneti i qytetarëve, ngase një parti, në këtë rast që ka marrë 32 për qind të votave, ose ajo e bën Qeverinë ose shkohet në zgjedhje.

Pra, i mohohet vullneti i 70 për qind të qytetarëve që mund t’i bëjnë numrat dhe kjo nuk është praktikë në asnjë vend në botë, që ai që është fitues herën e parë, do të jetë fitues gjatë gjithë kohës ose përndryshe vendi shkon në zgjedhje. Nuk është parimi demokratik këtu dhe nuk është shpjegimi i Gjykatës Kushtetuese. Shpjegimi i Gjykatës Kushtetuese është që Presidenti e ka diskrecionin, por diskrecionin e ka me fakte.

Në qoftë se këta i mbledhin nënshkrimet, Vetëvendosje dhe LDK-ja dhe ja prezantojnë atij 82 nënshkrime, nëse hyjnë edhe minoritetet, ose 72 ose 71 nënshkrime, në qoftë se hyn njëri minoritet jo serb, ai (Presidenti) është i detyruar sepse i ka faktet që vendimi i tij të jetë në harmoni me vullnetin e popullit dhe të mos shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se Presidenti mund të mos jetë i kënaqur për mendimin e tij personal ose nga orientimi i kaluar politik.

Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni ju rolin e faktorin ndërkombëtar – ka nevojë që të ketë një ndërhyrje për ta ndihmuar procesin e negociatave mes partive politike?

Ramush Tahiri: Jo, nuk ka nevojë sepse tash fillon të përjetohet si një presion. Ata kanë nevojë të respektohen procedurat edhe kanë nevojë të respektohen proceset demokratike dhe kanë nevojë ta dinë qëndrimin e secilit subjekt për çështjet që për Kosovën janë obligim, demarkacioni, asociacioni, dialogu me Serbinë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, agjenda evropiane e Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe të gjitha çështjet e tjera.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë që i raportojnë qeveritë e veta, duhet ta kenë mendimin e qartë se çka do të ndodh nëse e merr pushtetin VV, çka do të ndodh nëse e merr PAN- i dhe çka do të ndodh nëse është pjesë LDK-ja. Në ketë fazë janë takimet pa përjashtuar asnjërin, por jo në fazë të presionit që shtetet ndërkombëtare frikohen se do të destabilizohet vendi nëse PAN-i mbetet në opozitë jo, këso pazare nuk bëhen dhe është komplet e tejkaluar.

Reklamë
Reklamë