xhhh-1

Gjykata e Apelit sot vendos për xhihadistët

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pritet të shpallë sot vendimin për 9- të të pandehurit e akuzuar për rekrutim të shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në Siri, për të luftuar për grupimet terroriste ISIS.

Periskopi.com Lajme

Në 3 maj të këtij viti gjykata e shkallës së parë i dënoi të akuzuarit me 126 vite burg gjithsej, vendim i cili u ankimua edhe nga vete ata dhe nga prokuroria.

Bujar Hysa, i akuzuar si drejtues i grupit, u dënua me 18 vjet burg, ndërsa Gerti Pashja e Genci Balla u dënuan me nga 17 vite.

Zeqir Imeri u dënua me 16 vjet ndërsa Verdi Morava, Orion Reçi e Edmond Balla u dënuan me nga 13 vjet. Fadil Myslimani u dënua me 12 vjet, ndërsa Astrit Tola u dënua me 7 vjet.

Në total, dënimi për ta është 126 vjet ndërsa organi i akuzës kishte kërkuar 152 vjet. Të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm gjatë gjykimit dhe pretenduan në mënyrë të vazhdueshme se qenë pre e një gjykimi të padrejtë.

Nëntë të akuzuarit dyshohen se si anëtarë të një rrjeti rekrutuesish për xhihadistë.Ata u arrestuan në mars 2014, pasi Shqipëria adoptoi një legjislacion të ri për hetimin dhe dënimin e pjesëmarrjes në konflikte të huaja.

Hetimet 2-vjeçare kanë zbuluar se mbi 100 shqiptarë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë shkuan në Siri përgjatë viteve 2012-2014.Ndërkohë qeveria më 2 nëntor bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurimit e njohur si lista e OKB-së ka marrë vendim të shtojë edhe 13 persona të rrezikshëm si masë kundër financimit të terrorizmit, ndër të cilët edhe 9 personat që presin vendimin.