15218577_1142808719108210_1810555347_n

Fjalimi emocionues i shqiptarit nga Suedia që u lexua gjatë protestës në Gjakovë

Publicisti Shqiptar Oseku nga Suedia, duke shprehur dhembjen për vdekjen e Astrit Deharit dhe kërkimin e drejtësisë përmes një letre të lexuar në protestën e djeshme në Gjakovë, ka fajësuar sistemin aktual në vend, derisa e ka quajtur kuçedër e bishë të pangopur që kërkon tagër gjaku.

Periskopi.com Lajme

Ai ka thënë se secili që kërkon llogaridhënie për vdekjen e Astriti në këtë mënyrë kërkon llogaridhënie edhe për veten./Periskopi/

Letra e plotë:

Shokë e shoqe të idealit,

Dua t’ju përshëndes nga largësia, e t’ju falënderoj që keni dalur sot për të kërkuar drejtësi për Astritin. Duke kërkuar llogaridhënie për një qytetar të Kosovës që s’është më në mesin tonë, ju kërkoni llogaridhënie edhe për veten tuaj. Edhe për mua, e qindra mijëra mërgimtarë tjerë si unë. E për dy milionë qytetarët e këtij vendi, me të madh e të vogël – madje edhe për ata që sot nuk janë këtu. Sepse e vërteta e frikshme është, se kjo zije që ka rënë në familjen e Astritit, nesër mund të bie në rrethin e secilit prej nesh.

Një qeveri që vendos e heq prokurorë e gjykatës me një thirrje telefoni. Një pushtet që ashtu mund ta burgosë çdo oponent paqësor, për gjoja “terrorizëm”. Një shtet të cilit i vdes në duar qytetari, e i cili përhap gënjeshtra për viktimën. Një sistem i tërë shumëkokësh pra, që as ka ndërgjegje, as ka njerëzillëk, t’i thotë shqip dy fjalë të thjeshta: “Na falni!”. Këto janë si ato kuçedrat e gojëdhënave, bisha të pangopura që kërkojnë tagër gjaku.

Mos të mashtrohet kush se ja, këto kuçedra ndoshta qetësohen, tashti që hëngrën një qytetar. Ato kështu veç sa mësohen me shije të gjakut.  E kthehen sërish, për të kafshuar përsëri. E përsëri. E përsëri.

Përrallat e lashta njeriu mund t’i lexojë sipërfaqësisht, si rrëfime për të tmerruar a argëtuar netve pa hënë. Por mund t’i lexojë edhe si amanet nga lashtësia, paralajmërim në formë miti nga të parët tanë: se këto kuçedra do të na i shtjerrin të gjitha burimet. Se, për të mbajtur shpirtin gjallë, do të na duhet t’i ngopim këto kuçedra, duke i ushqyer rregullisht me më të mirët prej nesh. Se ky do të jetë rrëfimi ynë, një rrëfim i trishtë i përuljes, frikës dhe poshtërimit. Derisa ta gjejmë trimërinë, ndërgjegjen, e njerëzillëkun, për t’i thënë vetes Mjaft! Derisa ta gjemë guximin për t’u ndeshur me ato kuçedra, e përkushtimin për t’i mposhtur ato.

Në përrallat e lashta, janë drangonjtë që ndeshen me kuçedrat, e gjithmonë fitojnë. Në jetën e përditshme,  ku kuçedrat tona janë të forta e të shumta, ndodh që dragonjtë vuajnë. Ndodh që drangonjtë i kapin, e i fusin zvarrë në burg. Ndodh që aty drangonjtë gdhijnë të vdekur, të ngulfatur, me shenja gërvishjesh, e gjurmë gjaku nëpër mure e dysheme. Dhe kuçedrat na shohin në sy, nga ekranet e televizorëve. Dhe kuçedrat na thonë ta ulim qafën, e të pranojmë sundimin e tyre, tagrën e tyre të gjakut.

Ato që ato nuk e dinë, se nuk ua merr mendja kurrë. Është se nganjëherë dragonjtë vdesin, për të fituar. Mu prandaj dhe quhen drangonj: se marrin vdekjen në sy, veç për të mposhtur kuçedrat që mundojnë popullin e tyre.

Ju falemnderit të gjithëve që keni ardhur sot këtu. Ju falemnderit që nuk u bindeni. Ju falemnderit që nuk ua shtrini qafën. Ju falemnderit që nuk pranoni sundimin e tyre, tagrën e tyre të korrupsionit, krimit, e gjakut, mbi këtë vend të vuajtur. Ju falemnderit që kërkoni drejtësi për Astritin, e për shokët e shoqet e tij, të burgosur të ndërgjegjes. Ju falemnderit për njerëzillëkun, dinjitetin, e përkushtimin tuaj. Ju lutem, vazhdoni t’i fryni prushit të lirisë. Një ditë do të marrë flakë, e drita më në fund do ta trembë errësirën.