Filmat pornografik nëpër korzot e Kosovës – në një ekspozitë

Periskopi.com Kulturë

Një romancë e vitit 1983, me aktorët Jerry Butler dhe Kelly Nichols, ato vite kishte një poster që për kinematë jugosllave ishte i përshtatshëm.

“In Love”, përkthyer si Prave Strasti, ka pllakatin ku figuron një vajzë në vetëkënaqësi brenda një goje sensuale. Një poster i tillë dikur ka qenë lirshëm i vendosur nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës.
Posterat e tillë të filmave që vinin në kinematë e Kosovës në vitet 80-të e 90-të që nga e premtja janë të ekspozuar në Soma Book Station.

Ekspozita “Korzo” i sjellë këta postera, me ta edhe një realitet të pamohueshëm se dikur posterat pornografikë shiheshin kudo në Kosovë, edhe para syve të fëmijëve e prindërve që shëtitnin nëpër korzot e qytetit.

Baton Domi nga Soma Book Station tregon më shumë për këtë realitet të dikurshëm.

“I kemi sjellë këta postera origjinalë, por ka edhe më të rëndë në përmbajte. Ka shembull marrëdhënie seksuale të kafshëve me njerëz. Këto që janë ekspozuar në Soma janë më të buta dhe paraqesin realitetin e kinemave jugosllave që dikur ishin mbushur me filma pornografik, jo erotik” tregon Baton Domi.

“Kur je dalë asokohe me prindërit në qytet, ka pasë në shumë anë postera pornografik, të vendosur në qytet. Kjo ka ndodhur në Prishtinë, Pejë, Prizren e qytete tjera. Arsyeja pse i kemi ekspozuar është ta rikthejmë atë memorie kolektive që është e fshehun prej njerëzve, në të cilën kanë marrë pjesë sidomos meshkujt” tregon Batoni. Posterat e ekspozuar janë marrë nga Kino Lumbardhi në Prizren.

Pllakatet janë dukshëm një agresivitet i dikurshëm. Jo më pak i lënë anash është edhe posteri i filmit “Devojski iz taksija”, përkthimi jugosllav për filmin e njohur “Taxi Girls”, që i përket një kinemaje për të rriturit. Megjithatë, këta filma shiheshin edhe nga fëmijët.
“Kinematë me këta filma ta kanë ndërtuar imagjinatën në këtë aspekt, pasi në shkolla nuk kemi mësu edukim seksual. Nuk ke pasë të drejtë as me shoqe me folë mbi këtë punë. Këta filma, posterat e të cilëve janë në Soma, kanë ndikuar edhe në raportin femër- mashkull dhe kanë ndihmuar në frustrimin që ekziston edhe sot” tregon Domi.

Domi tregon se ky lloj i kinemasë dhe këta lloje posterash kudo në qytet kanë qenë edhe pjesë e një agjende për ta dislokuar vëmendjen e popullit mbi çështje tjera, si Lufta e Bosnjës shembull, dhe rënie e kompletit projektit Jugosllavi.

Derisa posterat ende gjenden në Soma Book Station në kryeqytet, aty ku edhe mund ti shihni dhe të njoftoheni më shumë me konceptin e kësaj ekspozite, e përfundojmë këtë bisedë me Domin, duke marrë edhe një tjetër anë të rëndësishme të ndikimit të këtyre pllakateve filmike në jetën e përditshme të qytetarëve që ishin ‘viktimë’ e tyre.

“Seksualizmi është prezantu në këtë mënyrë në kinema dhe kjo më pas ka ndihmu të bastardizohet akti seksual. Në fakt ne si fëmijë kemi mësuar shumë prej kinemasë në këtë aspekt, dhe kjo e ka degradu mënyrën e komunikimit mes gjinive dhe komunikimin në përgjithësi” tregon Domi.
Kinemaja e tillë supozohet se ka ekzistuar diku deri në vitin 1997, kur edhe situata në Kosovë u tensionua dhe më pas ndodhi lufta. / KultPlus.com