0-25-2

Fillojnë punimet e unazës së jashtme në Ferizaj

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, inauguruan fillimin e punimeve në ndërtimin e unazës së jashtme në Ferizaj (Prelez i Jerlive –Kosinë- Llojza –Dremjak- Nerodime –Manastirc-Zaskok- Greme -Topojan).

Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë e madhe që ka ky projekt për qytetin e Ferizajt dhe rëndësinë e shtendosjes së madhe të qyteteve të mëdha nga komunikacioni i ngarkuar.

“Qyteti i Ferizajt është zhvilluar shumë dhe është një ndërmarrje shumë e madhe që të krijohet kjo unazë në mënyrë që të parandalohet kjo bllokadë në qytet dhe që të mundësohet një qarkullim më i lirshëm”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Ferizajt Muharrem Sfarqa falënderoi Qeverinë për këtë investim shumë të domosdoshëm për komunën e Ferizajt.

Ndër të tjera, kryetari Sfarqa tha se kjo arterie shumë e rëndësishme do të lidh këto lokacione dhe do të mundësojë qarkullimin më të mirë të njerëzve dhe mallrave, duke shmangur qarkullimin brenda qytetit të Ferizajt.

Ky projekt, i cili do të financohet në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës ka vlerë prej 2 milionë e 865 mijë e 167 eurosh, në gjatësi prej 30 kilometrash, gjerësi prej 6 metrash dhe trotuar me gjerësi prej 1.5 metrash.