auto_bashkimi_evropian1458592463

Evropa është e papërgatitur për atë që mund të sjellë 2017-a

BE-ja është dobësuar aq shumë nga ngjarjet e trazuara të vitit 2016, saqë ka mbetur e papërgatitur për t’u përballur me 3 sfidat e mëdha të politikës së jashtme të vitit që sapo ka trokitur...

Judy Dempsey Opinione

Sfida e parë është Donald Trampi, që në 20 janar hyn në Shtëpinë e Bardhë si presidenti i ardhshëm amerikan. E dyta është fuqia në rritje e Vladimir Putinit, presidenti rus që ndihet i inkurajuar pas rënies së qytetit sirian të Alepos. Sfida e tretë është terrorizmi. Vitin e shkuar, vendimi i britanikëve për të lënë Bashkimin Evropian, i ‘grabiti’ Evropës një shtet anëtar që kishte një traditë dhe përvojë të gjatë mbi sigurinë, grumbullimin e inteligjencës dhe mbrojtjen.

Kriza e euros vazhdon të përndjekë unionin. Sistemi i brishtë bankar italian, dhe dorëheqja e kryeministrit italian Mateo Renci, qenë viktimat e fundit të vështirësive financiare të bllokut, dhe dobësisë së monedhës së saj të përbashkët. Sa i përket krizës së refugjatëve, megjithëse numri i atyre që mbërrijnë në Evropë është ulur, batica njerëzore nga Lindja e Mesme është duke u lidhur me sulmet më të fundit terroriste, duke përfshirë edhe atë të Berlinit në 19 dhjetor. Ky sulm, ekspozoi dështimet e mëdha nga ana e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Udhëheqësit e tyre kanë dështuar veçanërisht të bien dakord për një politikë gjithëpërfshirëse të azilit dhe refugjatëve, me qëllim kontrollonin e atyre që hyjnë në bllok. Ata s’kanë arritur të sigurojnë kufijtë e Evropës. Dhe mbi të gjitha, duhet të punojnë për të vënë në punë për një sistem efikas të ndarjes së inteligjencës, apo edhe një politikë të fortë të sigurisë dhe të mbrojtjes. Rezultati është se politikat e Tramp dhe Putin, do të testojnë aftësinë e Evropës për të mbrojtur veten.

Putin mundet vetëm të përfitojë nga një Evropë e dobësuar, dhe një president amerikan që vë në pikëpyetje angazhimin e Amerikës në kontinentin e vjetër. Duke përhapur dezinformacione, mbështetur lëvizjet populiste e duke bashkëpunuar me politikanë kryesorë evropiane në Francë, Holandë dhe Austri, Kremlini ka aftësinë të përçajë Evropën.

Për shembull, partia Rusia e Bashkuar e Putinit, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë e Lirisë të ekstremit të djathtë në Austri, vetëm pak javë pasi kandidati i saj u mund të ngushtë në një garë presidenciale nga një politikan i pavarur pro-evropian. Udhëheqësi i partisë Heinz-Christian Strache, dhe liderë të tjerë populistë në Evropë dëshirojnë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Përsa i përket Trampit, qëllimi i tij i dukshëm për të adoptuar një marrëdhënie më pragmatike pune me Kremlinin, do të vërë në dukje dobësitë e natyrshme të aleatëve evropianë të Amerikës. Një gjë është e sigurtë:ata nuk janë në pozitë për të mbrojtur veten kundër Rusisë, në qoftë se Shtetet e Bashkuara e dobësojnë angazhimin mbi çështjet e sigurisë. Administratat e njëpasnjëshme amerikane, e kanë paralajmëruar Evropën të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e vet.

Përkundër të gjitha shërbimeve të financiara nga liderët e BE-së për forcimin e sigurisë, mbrojtjes dhe të politikës për ndarjen e inteligjencës, ata kanë bërë shumë pak për të mbajtur ndonjë nga këto premtime, sikurse e konfirmuan edhe sulmet terroriste. “Evropa ndodhet në një krizë të sigurisë”- vuri në dukje pak kohë më parë Xhulian Lindlej-Frenç, një ekspert veteran britanik i sigurisë. “Sërish kemi të bëjmë me një paaftësi të dukshme totale të liderëve të Evropës, për të siguruar dhe mbrojtur qytetarët evropianë”.

I dyshuari në sulmin terrorist të Berlinit, Anis Amri, qe në gjendje të endej nga Italia për në Gjermani, dhe të rrikthehej nga Franca në Milano, ndonëse ishte dënuar për djegien e një qendre të paraburgimit gjatë qëndrimit në Itali. Shërbimet gjermane të sigurisë e kishin atë nën vëzhgim, por e lejuan të rrëshqasë nga rrjeta.

Duke hedhur vështrimin pas në vitin 2016, Brexit, kriza e euros dhe refugjatëve mund të kishin qenë mundësia e BE për të ecur së bashku me integrimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik, duke përfshirë ndarjen e informacioneve të inteligjencës, dhe një politikë të duhur të azilit dhe refugjatëve. E kundërta ndodhi. Shtetet anëtare janë duke zbatuar politikat e tyre, teksa lëvizjet populiste në Evropë po ndajnë BE-në.

Disa nga këto lëvizje janë të frustruara nga paaftësia e elitave për të trajtuar, ndër të tjera, çështjet e sigurisë dhe terrorizmit. Të tjerat, si qeveritë hungareze e polake, besojnë se shteti-komb duhet të marrë përparësi mbi burokracinë e Brukselit, të cilën ata e gjykojnë si të largët dhe që ndërhyn mbi vlera të tilla si sundimi i ligji dhe të gjyqësorit, edhe pse mendohej se këto vende i kishin përmbushur këto standarde, kur iu bashkuan unionit në vitin 2004.

I tillë është spektri me të cilën përballet Evropa në vitin 2017:një president amerikan, që u thotë aleatëve të tij evropianë të paguajnë, në rast se duan vazhdimin e garantimit të sigurisë nga amerikanët, dhe një president rus, politikat e të cilit kanë për qëllim shkatërrimin e aleancës transatlantike dhe dobësimin e BE–së. Por në vend të reagimit të përbashkët, udhëheqësit e unionit duket se i kanë lënë qytetarët e tyre të pambrojtur, dhe bllokun gjithnjë e më pak të besueshëm për të dialoguar me një administratë të re amerikane dhe Rusinë.