Astrit Dehari

EULEX: Autopsia në rastin “Dehari” u bë në mënyrë profesionale

EULEX-i shfrytëzon rastin që edhe një herë t’u shprehë ngushëllime familjes dhe miqve të Astrit Deharit, i cili vdiq derisa ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Periskopi.com Lajme

EULEX-i thotë se vdekja e një të riu në këto rrethana është me të vërtetë një tragjedi.

“Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

“Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti. Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Megjithatë, EULEX-i thotë se gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, “duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera”.

“Menjëherë pas këtij incidenti, Ministrja e Drejtësisë e angazhoi EULEX-in për ofrimin e mbështetjes në lidhje me mësimet e nxjerra dhe për përfshirjen e atyre mësimeve në agjendën aktuale të reformave më të gjera në shërbimin korrektues. Ministrja Hoxha kërkoi prej agjencive që t’i paraqesin të gjeturat e tyre, gjë që ato edhe e kanë bërë”, thotë më tej EULEX-it.

 

EULEX-i e përshëndetë theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim.