Erdogan: Lëvizja e SHBA’së mbi Jeruzalemin po krijon një luftë të re

Periskopi.com Lajme

Udhëheqësi turk Rexhep Tajip Erdogan ka kritikuar vendimin e Presidentit të SHBA’së Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, duke thënë se ky veprim i tij do ta hedhte këtë rajon në një “unazë zjarri”.

“Marrja e një hapi të tillë e hedh posaçërisht këtë rajon në një unazë zjarri. Çfarë do të donit të bënit me këtë hap, zoti Trump?”, tha Erdogan të enjten në aeroportin e Esenbogas të Ankarasë, përpara se të niset për një vizitë në Greqi.

“Kam vendosur që ka ardhur koha që të njohim zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit,” tha Trump në një fjalim në Uashington.

Presidenti turk, i cili më parë kishte paralajmëruar se statusi i Jeruzalemit ishte një vijë e kuqe për myslimanët, ku deklaroi se vendimi i SHBA’së shpërfillte rezolutën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1980 lidhur me statusin e qytetit.

Ai shtoi se udhëheqësit politikë duhet të punojnë për të sjellë paqe, e jo për të acaruar lidhjet diplomatike.

Turqia do të organizojë një takim të jashtëzakonshëm të Organizatës së Vendeve Islamike (OIC) më 13 dhjetor për të diskutuar lëvizjen e SHBA’së.

Saeb Erekat, kryenegociatori palestinez, tha se Trump “shkatërroi çdo mundësi të paqes” dhe po e shtynte këtë rajon drejt kaosit dhe dhunës.

“Ai po shkatërron të gjithë të moderuarit në rajon dhe duke u dhënë fuqi ekstremistëve”, tha Erekat për “Al Jazeera”, transmeton Periskopi.

“Ky është vendimi më i rrezikshëm që çdo president amerikan ka marrë ndonjëherë”.

Erekat tha se ishte “e pakuptimtë” të kishte një shtet palestinez pa Jeruzalemin si kryeqytetin e saj./Periskopi/