erdogani

Erdogan kërcënon BE: Do të hapim kufinjtë për emigrantët

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Turqia mund të hapë kufinjtë e saj që emigrantët të vërshojnë drejt Europës, nëse Bashkimi Europian aprovon ngrirjen e negociatave të antarësimit me Ankaranë.

Periskopi.com Lajme

Një ditë më parë, anëtarë të Parlamentit Europian votuan një mocion jo-detyrues, që kërkon nga Komisioni Europian dhe qeveritë kombëtare “ngrirjen” simbolike të negociatave, për shkak të reagimit “të tepruar” të vendit ndaj grushtit të dështuar të shtetit.

Por, përtej shqetësimeve gjithnjë në rritje mbi të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, Brukseli ka nevojë për ndihmën e Turqisë për të frenuar numrin e refugjatëve dhe emigrantëve që mbërrijnë në Europë përmes brigjeve të saj.

“30-40 njerëz votojnë kundër propozimit dhe 4.500 të tjerët votojnë pro. Nuk do të kishte rëndësi nëse ju e aprovoni votën e Parlamentit. Kur 50.000 emigrantë u mblodhën në kurfirin e Turqisë, ju shkaktuat trazira. Filluat të pyesnit ç’do të bënit nëse Turqia do të hapte dyert e saj. Po jua them, nëse shkoni më larg, do të hapim kufinjtë.”

Më shumë se 1.3 milionë persona kanë mbërritur në Europë që prej vitit të kaluar, duke nxitur polemika mes vendeve anëtare të BE mbi mënyrën e përballimit të kësaj krize.

Marrëveshja me Turqinë, edhe pse e kritikuar, ia ka dalë të reduktojë fluksin e madh që rrjedh përmes vendit. Turqia është shtëpi e popullsisë më të madhe të refugjatëve, pasi strehon 2.7 milionë sirianë dhe 300.000 irakianë.

Gjithsesi, ka pak gjasa që qeveritë europiane të marrin parasysh votën e Parlamentit Europian. Gjermania, Franca dhe shumica e vendeve anëtare vijojnë të inkurajojnë angazhimin mes palëve dhe i tremben vënies në rrezik të bashkëpunimit me Erdogan lidhur me këtë çështje.