Garanca që i jepet Pacollit se do të bëhet President, nuk ka asnjë vlerë kushtetuese

Artina Muçiqi Lajme

Pika e marrëveshjes mes koalicionit PAN dhe AKR, në të cilën kryetarit të kësaj të fundit, Behgjet Pacollit, i garantohet posti i presidentit pas mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçit, nuk ka asnjë ndikim apo vlerë kushtetuese. Në një intervistë ekskluzive për Periskopin, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka folur për mundësinë që Pacolli të udhëheqë sërish me postin e të parit të shtetit, nga i cili u detyrua të heqë dorë në mars të vitit 2011, pasi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese me shumicë votash kishin vendosur se zgjedhja e Pacollit ishte jokushtetuese.

Për Periskopin, Hasani ka folur edhe akuzat që ia kishte bërë Pacollit më 2011, se ai kishte ofruar një milion euro për të ndikuar në vendimin, i cili e hoqi nga posti i Presidentit. Fillimisht u bë e ditur se Pacolli kishte bërë padi civile kundër këtyre akuzave të Hasanit, ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj me padi për fyerje, gjersa shpreh bindjen e plotë se do ta fitojë këtë rast.

Për shumëkë vendimi që Gjykata Kushtetuese kishte marrë më 2014 pas krizës gjashtëmuajshe, ishte një ndër shkaktarët kryesorë të bllokadës aktuale politike në Kosovë, tri vite pas vendimit. Tashmë kur kanë kaluar pothuajse tre muaj nga mbajtja e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, ende nuk është bërë konstituimi i Kuvendit apo formimi i Qeverisë. Në intervistën për Periskopin, Hasani bëri të ditur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese mund të ndryshohen vetëm me amendament kushtetues. Ndërsa në nivelin e tanishëm, Gjykata mund vetëm të bëjë interpretimin e normave ekzistuese kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese sqaron se Gjykata për vendimin e 2014-tës kishte startuar duke definuar se kush është fitues e kush humbës, sipas vullnetit të votës së sovranit, gjë që shihet nga lista e Komisionit Zgjedhor me të cilën shpallen rezultatet e zgjedhjeve nacionale.

Sipas tij, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ata që kanë prerogativën e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë  të drejtë për të sabotuar seancat e tij konstituive e aq më pak për të imponuar votën e shumicës absolute.

Ekskluzivisht për Periskopin ai tregoi se ishte sharë e ofenduar shkaku i vendimit të Gjykatës, një draft të së cilit një nga kolegët e tij e kishte dërguar te njëri prej zëvendësministrave të Hashim Thaçit.

Gjatë intervistës, Hasani foli edhe për koalicionin parazgjedhore, një nga ta koalicioni PAN. “Naivët kanë besuar se duke bërë koalicione parazgjedhore do të arrijnë të fitojnë mbi 50 për qind dhe të bëjnë vetëm Qeverinë. Kjo nuk është kështu. Sa më shumë koalicione parazgjedhore të bëhen, aq më shumë bie vota partiake e atyre që bëjnë koalicione”, tha Hasani.

Gjatë intervistës ai bëri të ditur se nuk do të futet më asnjëherë në postet që janë nën hierarkinë e posteve që thotë se i kishte mbajtur me dinjitet, përkundër kërcënimeve e marrëzirave që thotë se ishin sajuar kundër tij.

“Ajo rrugaçëria e ulët e Ramushit me Ardian Gjinin me atë videon e fëlliqët, të cilën e nxorën në “Youtube” të nesërmen që u bë koalicioni i Isës me Hashimin, me siguri që paraqet goditjen më të ulët që dikush ka bërë në skenën publike kosovare dhe më gjerë. Më pas, kur u krijua opinioni i favorshëm për të më goditur  akoma më shumë, Hashimi e çoi këtë marrëzi më tutje duke i ndërsyer zagarët e tij në Prokurori të Shtetit për të më akuzuar edhe formalisht. Pse? Me të vetmen arsye për të më nxjerrë nga jeta publike kosovare”, rrëfen Hasani ndër të tjerash për Periskopin.

Intervistoi: Artina Muçiqi

Periskopi: Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ishte shkarkuar nga posti i presidentit për shkak të shkeljeve kushtetuese. Ndërsa, në një nga pikat e marrëveshjes mes koalicionit PAN dhe AKR, thuhet se Pacollit iu është premtuar sërish posti i Presidentit. Ligjërisht, a është e mundur që Pacolli, i cili ka bërë shkelje kushtetuese, të emërohet në këtë post?

Hasani: Behgjeti nuk është shkarkuar asnjëherë nga posti i presidentit për arsyet që ju i thoni. Gjykata Kushtetuese ka anuluar një vendim të Kuvendit të Kosovës, me të cilin ai zgjidhej president i Kosovës. Ky anulim ka ndodhur për shkak se Kuvendi i Kosovës patë shkelur Kushtetutën me rastin e zgjedhjes së tij për president.

Ngjashëm me këtë marrëveshje të djeshme në mes të PAN dhe AKR  me të cilin parashikohet se Behgjeti do të jetë president pas Hashimit, ka qenë edhe rasti i Atifetës: në dy rastet ka një marrëveshje politike në mes të forcave të caktuara politike që parashikon se “filan fisteku” do të bëhet president në “filan ditën dhe filan kohën”. Në rastin e Atifetës, Gjykata ka theksuar se marrëveshja politike nuk ka asnjë rëndësi dhe se dispozitat kushtetuese janë ato që çojnë peshë, asnjëherë marrëveshjet politike. Në rastin Jahjaga, siç dihet, Gjykata patë thënë se ajo e ka dhënë betimin për president të Kosovës për periudhën pesë vjeçare dhe asnjë ndikim në këtë mes nuk mund të ketë marrëveshja në mes të partive politike për ta eliminuar Atifete Jahjagën nga posti i presidentit të Kosovës. E njëjta vlen edhe sot: asnjë ndikim dhe asnjë vlerë kushtetuese nuk ka marrëveshja e djeshme që thotë se Behgjeti do të bëhet president i Kosovës pas Hashimit.

Periskopi: Në një emision televiziv keni thënë se Behgjet Pacolli përmes njerëzve të tij, në vitin 2011 u ka ofruar një milion euro për të ndikuar në vendimin, i cili e hoqi nga posti i Presidentit? A i mbështesni ende këto pohime, Pacolli në fillim të këtij viti ka bërë një denoncim për shpifje?

Hasani: Ajo çfarë kam thënë unë në atë emision televiziv është 100 për qind e saktë: në emër të Behgjetit njerëz të caktuar më kanë ofruar rrafsh një milion euro. Nuk e di ai nëse ai ka bërë padi civile, por unë e di saktë për vetën time se e kam bërë  një padi kundër tij për fyerje dhe jam i sigurt se kurdo që të vjen në rend të ditës vendosja sipas asaj padie, unë do ta fitoj rastin.

Periskopi: Bllokada politike në Kosovë të cilën po e përjetojmë, po i atribuohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i nxjerrë pas krizës 6 muajshe politike të asaj kohë? A ka mundësi që vendim të ndryshohet? Si do të ishte procedura në një rast të tillë?

Hasani: Ka një standard ndërkombëtar në gjyqësinë kushtetuese, sipas të cilit çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të ndryshohet vetëm me amendament kushtetues. Kjo mund të bëhet gjithnjë me supozim se amendamenti i ri nuk bie ndesh me dispozitat kushtetuese. Ndryshe nuk mund të bëhet. Kjo vlen edhe për pyetjen tuaj.

Ata që thonë se vendimi i Gjykatës ka qenë shkaktar i krizës katër mujore në vitin 2014, kryesisht janë nga komuniteti laik. Kjo është krejt normal sepse rregullat e çdo profesioni janë rregulla speciale dhe jolaike. Çdo jurist normal, ndërkaq, e din se gjykatat kushtetuese kudo në botë nuk krijojnë norma të reja kushtetuese, por vetëm bëjnë interpretimin e normave ekzistuese kushtetuese. Njëjtë vlen edhe për Kosovën: Kushtetuta e Kosovës e bën të qartë se Gjykata Kushtetuese është interpretues, jo krijues i normave kushtetuese. Ky standard ekziston në krejt botën e qytetëruar ku ka gjykata kushtetuese. Fundja, gjyqësia kushtetuese është gjyqësi për interpretim të Kushtetutës  dhe jo të ligjit, të teksteve fetare, të kodeve zakonore etj.. Interpretimi kushtetues përbën një proces që konsiston në ndërtimin dhe sqarimin e kuptimit të normës kushtetuese ekzistuese. Këtë e ka për detyrë çdo Gjykatë Kushtetuese. Interpretimet tjera që bëhen nga bashibozukët e disave nga komuniteti i drejtësisë nuk janë asgjë pos ushtrim i padijes profesionale. Sipas këtyre bashibozukëve juridik, Gjykata Kushtetuese duhet të qëndroj gati dhe e zgjuar çdo herë kur ka zgjedhje nacionale në Kosovë dhe të shkoj nëpër çdo kafe ose restorant të Kosovës për të marrë vesh se ku rrinë politikanët dhe t’i pyes ata se çfarë mendojnë për atë se kush është grupi më i madh parlamentar pas zgjedhjeve, ani se akoma nuk ka një Parlament ngaqë akoma nuk ka ndodhur konstituimi i tij.

Periskopi: Shkaku i atij vendimi (të Gjykatës Kushtetuese), sot kemi një situatë politike ku dy partitë më të votuara në vend, VV dhe LDK, duket se do të mbesin në opozitë? Juridikisht mund të jetë korrekte, por politikisht vendit po i bëhet një dëm i madh? Ju si jurist me renome, si mendoni se mund të dalim nga kjo situatë në të cilën jemi kurthuar?

Hasani: Ju thash: duhet të ndryshohet Kushtetuta. Nuk ka zgjidhje tjetër sepse Gjykata Kushtetuese nuk mund të krijoj normë të re. Kushtetuta i jep Gjykatës të drejtën e interpretimit të saj, assesi të drejtën e krijimit të normave të reja kushtetuese. E , normat e reja krijohen, siç dihet mirë, vetëm përmes amendamenteve të reja kushtetuese. Asnjë gjykatë kushtetuese, askund në botë ku ekzistojnë ato, nuk ka të drejtë që të krijojë norma të reja kushtetuese: ato kanë mandat për interpretim të normave kushtetuese, jo për krijim të normave të reja. Në rastin e vitit 2014, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar normën përmes një norme tjetër juridike, që ne e cilësojmë si norma e referimit, apo, siç e quajnë italianët që konsiderohen më të mirët për interpretim të normave kushtetuese, norma e ndërmjetme e sovranit. Në këtë rast, si normë e ndërmjetme e sovranit ka qenë Ligji për Zgjedhjet. Çdo ligj supozohet se është kushtetues deri sa mos të vërtetohet e kundërta. Gjykata ka startuar nga ky supozim në vitin 2014: pra, ka definuar se kush është fitues e kush humbës sipas asaj që përcakton norma e ndërmjetme apo norma referuese e një ligji , Ligjit për Zgjedhje, i cili sot e kësaj ditë supozohet se është kushtetues. Se kush në cilin grup parlamentar do të jetë, mund të dihet ligjërisht vetëm pas konstituimit të Kuvendit. Më herët nuk ka as Kuvend e as grup parlamentar: ka vetëm fitues dhe humbës sipas vullnetit të votës së sovranit, gjë që shihet nga lista e Komisionit Zgjedhor me të cilën shpallen rezultatet e zgjedhjeve nacionale. Kjo është Kushtetuta e Kosovës. Në vendet tjera janë rregullat krejtësisht të ndryshme kushtetuese, mirëpo Gjykata e Kosovës interpreton Kushtetutën e Kosovës.

Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ata që kanë prerogativën e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë  të drejtë për të sabotuar seancat e tij konstituive e aq më pak për të imponuar votën e shumicës absolute. Kjo varet nga vullneti i secilit deputet. Këtë Gjykata e ka bërë të qartë në vitin 2014: ata që atëherë thanë se neni 127 i Aktgjykimit (gabimisht i cilësonin si nene paragrafët e Aktgjykimit) i jep të drejtë deputetëve për të gjetur zgjedhje vet, sot janë përfitues të pushtetit. Pikërisht falë atij aktgjykimi. Këtë parim ata duhet ta ruajnë edhe sot kur nuk ju bie mirë sepse aktgjykimi akoma nuk ka ndryshuar, është i njëjtë. Kjo punë, megjithatë, tani i takon të kaluarës dhe mendoj se Kosova ka përfituar nga ai vendim sepse janë shftyruar të gjitha ambiciet e sëmura për pushtet të disave. Kjo ka rëndësi të madhe sepse ka fituar Kushtetuta, jo pasionet e sëmura për pushtet. Nesër nga ky aktgjykim do të përfitojnë VV dhe tjerët, njëjtë sikur ata që në vitin 2014 e shanin vendimin dhe mua (pa asnjë të drejtë).

Unë jam sharë dhe identifikuar me atë vendim sepse, për fat të keq, njëri nga kolegët në Gjykatë e ka dërguar draftin e atij aktgjykimi te një prej zëvendësministrave të Hashim Thaçit, për të marrë mendimin e tyre, ani se vetë ka votuar pro atij drafti. Këtë më vonë e kam marrë vesh. Vetëm një gjyqtar ka qenë kundër vendimit, një prej tre gjyqtarëve ndërkombëtar. Ai ka dhënë mendimin e vet mospajtues që në tërësi përputhet me argumentet laike të koluareve të dhe restoranteve të Kosovës së atyre ditëve, pa asnjë argument juridiko – kushtetues apo citim të ndonjë autoriteti kushtetues të ndonjë vendi serioz perëndimor.

Unë qofsha i gabuar, por mendoj se as kjo legjislaturë nuk do ta ndryshoj këtë dispozitë kushtetuese. Kjo shpjegohet shkencërisht me doktrinën e ashtuquajtur “zero sum game”, e cila në shqip ka problem për tu përkthyer. Këtë mund  ta them vetëm në mënyrë divulgative. Kjo doktrinë do të thotë se humbja e njërës palë përbën fitore për palën tjetër, përkatësisht aty ku ka humbës dhe fitues, ky i fundit i  merr të gjitha. Këtë dispozitë kushtetuese në Kosovë e ka futur Plani Ahtisaari. Ka njerëz që në Kosovë nganjëherë paraqiten sikur “hartues të Kushtetutës”, apo se e dinë se ku janë procesverbalet e kohës sa ka zgjatur draftimi i Kushtetutës. Këta gënjejnë! Procesverbalet, apo “travaux preparatoires” (punimet përgatitore) nuk ekzistojnë dhe as që kanë ekzistuar ndonjëherë, kurse dispozitat për sistemin zgjedhor janë të bartura tekstualisht nga Plani Ahtisaari në Kushtetutën e Kosovës. Në këtë plan, siç dihet, pala kosovare as edhe një shkronjë nuk e ka shkruar.

Sipas këtij sistemi zgjedhor, asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të del askush i pari me një shumicë absolute. Pse? Sepse efektivisht votimi bëhet për 100 vende. Naivët kanë besuar se duke bërë koalicione parazgjedhore do të arrijnë të fitojnë mbi 50 për qind dhe të bëjnë vetëm Qeverinë. Kjo nuk është kështu. Sa më shumë koalicione parazgjedhore të bëhen, aq më shumë bie vota partiake e atyre që bëjnë koalicione: kjo është sikur ujët e detit, sa më shumë të pish, aq më shumë të merr etja. Kjo është arsyeja pse kjo nuk mund të ndryshojë lehtë, sepse të gjithë janë potencialisht fitues para nisjes së votimit.

Pa konsensus, nuk mund të ndryshohet Kushtetuta. Unë pres, nga ajo që thash më sipër, se VV nuk do të jep pëlqimin për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor sepse e di se në zgjedhjet tjera, ajo mund t’i merr të gjitha në mënyrë komode me një aleat fare të vogël. Pse duhet të ndryshohet atëherë kjo normë kushtetuese? U mor vesh, ata që e kanë krijuar këtë normë kushtetuese dhe këtë sistem zgjedhor, qartë e kanë ditur se ky system kontribuon shumë në zhvillimin e proceseve demokratike në vend sepse askujt nuk i lejon që të jetë i sigurt në asnjë fazë në legjitimitetin e vet politik, përkatësisht se i lejon çdokujt dhe në çdo kohë që të ndihet superior ndaj forcave tjera politike dhe i sigurt që në zgjedhjet tjera mund ta përmbysë përfundimisht tjetrin me ndihmën e një aleati fare të vogël dhe të parëndësishëm.

Periskopi: Keni pasur poste të rëndësishme politike në të kaluarën, ku jeni aktualisht i angazhuar?

Hasani: Jo. Nuk kam ndërmend asnjëherë të futem në postet që janë nën hierarkinë e posteve që kam pasur: siç e dini, unë kam pasur postet më të larta civile në vend dhe i kam mbajtur me dinjitet e krenari profesionale përkundër kërcënimeve e marrëzirave që kanë sajuar kundër meje. Ajo rrugaçëria e ulët e Ramushit me Ardian Gjinin me atë videon e fëlliqët, të cilën e nxorën në “Youtube” të nesërmen që u bë koalicioni i Isës me Hashimin, me siguri që paraqet goditjen më të ulët që dikush ka bërë në skenën publike kosovare dhe më gjerë. Më pas, kur u krijua opinioni i favorshëm për të më goditur  akoma më shumë, Hashimi e çoi këtë marrëzi më tutje duke i ndërsyer zagarët e tij në Prokurori të Shtetit për të më akuzuar edhe formalisht. Pse? Me të vetmen arsye për të më nxjerrë nga jeta publike kosovare. Kam shumëçka për të thënë dhe do ta them shumë shpejt në kohët që po vijnë dhe do të jetë shokuese për disa njerëz. Për tani, mjafton me kaq.

Aktualisht jam duke punuar, qe dy vite, në dy libra: njëra për gjyqësinë kushtetuese komperative e tjetra për praktikumin nga e drejta ndërkombëtare publike. Besoj se për dy vite tjera të punës intensive do të jenë gati për lexuesin.