ismet_hamiti-660x375

Eksperti Ismet Hamiti kërkon partneritetin strategjik mes kompanive të telefonisë Shqipëri-Kosovë prej 1999

Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, është njëri nga zërat më kritik ndaj marrëveshjes që lejoi praninë e Telekomit serb në Kosovë. E që të mos ndodhte një gjë e tillë sot, Hamiti kishte kërkuar qysh në gusht të vitit 1999 hartimin e një dokumenti të partneritetit strategjik në fushën e telekomunikacionit mes Kosovës e Shqipërisë.

Periskopi.com Lajme

Një gjë e tillë sipas Hamitit, do të ishte në shërbim të interest kombëtar dhe do të ndihmonte në mirëqenien e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri.

Hamiti, i cili numëron mbi katër dekada të kaluara me aktivitete të shumta në fushën e telekomunikacionit, këto ide ia kishte shprehur Presidentit të Shqipërisë Rexhep Mejdanit, përmes një letre me 25 gusht të ’99-së.

Qysh atëherë, Hamiti kishte parë mundësinë që përmes një bashkëpunimi të këtillë,  të bëhemi faktor të rëndësishëm në fushën e telekomunikacionit jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

“Kemi rastin historik, që duke krijuar partneritet strategjik ndërmjet Telekomit Shqiptar dhe Telekomit të Kosovës, të bëhemi faktor i rëndësishëm në sektorin e telekomunikacioneve ne rajon dhe më gjerë. Kështu do t’u shumëfishohej vlera e të tre partnerëve dhe do të rritej shumë interesi i të tjerëve për partneritet me neve. Përvoja e fundit që pata në Kosovë tregon se partnerët e huaj janë më të interesuar të duken mirë në sytë e disa vendeve në regjion se sa të fitojnë ndonjë kontratë në Kosovë. Në sytë e tyre Kosova është shumë e vogël për të cilën nuk ia vlen të rrezikohen tregje tjera më të mëdha në regjion. Shumë prej tyre bile venin në pyetje legjitimitetin e Telekomit të Kosovës dhe e bënin atë krejtësisht hapur, si sinjal miqësorë partnerëve tjerë potencial në rajon”,  shkruante Ismet Hamiti në letrën që i dërgoi atëbotë Presidentit Mejdani.

Po ashtu, eksperti Hamiti i kishte kërkuar Mejdanit që të ndërmerrte hapat e nevojshëm që të ndalej procesi i shitjes së AMC-së, dhe në vend të saj të merrte nismë për krijimin e një këshilli profesional të përbashkët që do të hartonte dokumentin e partneritet strategjik ndërmjet Telekomit Shqiptar, AMC-së dhe Telekomit të Kosovës.

“Jam thellësisht i bindur së kështu do t’u bënit një shërbim shumë të madh interesave kombëtare dhe mirëqenies së popullit në Kosovë e Shqipëri”, thoshte ndër të tjera Hamiti në këtë letër.

Kurse  sot, pas 17 vitesh, kur kërkesa e tij nuk mori përgjigje asnjëherë,  Ismet Hamiti thotë se qeveria e Kosovës, me shumë lehtësi lejoi zgjerimin në tregun e Kosovës të kompanive serbe të telekomunikacionit. E po ashtu tregon se që nga janari i vitit 1990, Serbia kundërligjshëm aneksoi PTT-në e Kosovës. Ndërsa nënshkrimin e marrëveshjes e quan rast të paprecedent në historinë e telekomunikacionit.

E për kompaninë  serbe që do të operojë në Kosovë, ai thotë se nuk është problem vetëm që është në pronësi të shtetit, porse kjo kompani ka bërë krime në Kosovë, për të vërtetuar këtë, për çfarë thotë se ka publikuar dhe një dokument që vërteton se kompania serbe ka kryer krime në Kosovë.

“Dokumenti i publikuar, ishte propozuar si ‘shpërblim’ për zbulimin e një krimi të ri kundër njerëzimit, që në vitin 1999. Prandaj për të gjitha kodet e kësaj bote telekomit serb, mobil e fiks, nuk i duhet lejuar zgjerimi në Kosovë siç synohet të bëhet me Marrëveshjen për telekomunikacionin”, tregon Hamiti.

 

leter-presidentit-meidani