Editorial | Komplekse, seks dhe Vetëvendosje

Periskopi Editoriale

Shoqëria jonë është në një fazë urbanizimi tash e një kohë të gjatë. Mbase, aktualisht kjo fazë ndodhet në kulmin e saj. Fare natyrshëm, shoqëria e parashtron kërkesën për tipe urbane reprezentimi. Jo vetën në sferën politike, por në të gjitha sferat e kulturës së shoqërisë. Edhe mes njerëzve të rëndomtë. Në përditshmëri. Kudo.

Si një pasojë e madhe e këtij procesi është zhvillimi i komplekseve të ndryshme nga individë të caktuar – siç foli kryetari i sapozgjedhur i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Shoqëria priret drejt një mohimi të thekshëm të së kaluarës, e të mbetjeve të saj në të tashmen. Një gjë e tillë evidentohet që në fillesat e para reprezentuese, ta zëmë, te ndryshimi i gjithandejmë i emrave të njerëzve. Dhe pastaj, reprezentimi vijon të zgjedhohet më tej në tipe e nivele të tjera. Kjo është një fazë nëpër të cilën kanë kaluar dhe po kalojnë shoqëri të ndryshme gjithandej botës. Por pasojat e një procesi të tillë për shumë shoqëri ishin të mosvetshme. Të marrim shoqërinë ruse të shekullit XIX, të cilën e njohim përmes letërsisë së disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të atij vakti, Dostojevskit, Tolstojit, Gogolit, Pushkinit, Turgenevit, Lermontovit etj. Ecuria e saj e mëpastajme në shekullin XX, nuk doli të ishte vijëdrejtë e përparuese. Progresi nuk mund të kuptohet pa rrezikun e regresit.

Padyshim, një rrezik i tillë i kanoset edhe shoqërisë sonë. Një atymbetje shekullore në kulturë. Megjithatë, Kosova e ka një përparësi në relacion me shoqërinë e përmendur, e kjo është vogëlsia gjeografike.

T’i lëmë anash parashikimet për pak kohë.

Të rikthejmë në mendje atë që ndodhi në Lëvizjen Vetëvendosje. Padyshim, ajo bëri që opinioni publik me të drejtë të tronditej, marrë parasysh konsistencën në diskurs dhe imazhin e papërlyer me ndonjë aferë korruptive. Pritjet e shoqërisë për njëfarë ndryshimi ishin vendosur te kjo Lëvizje. E megjithatë, pavarësisht rritjes së madhe të mbështetjes, ajo u përça nga brenda. Ditët e fundit kemi njëfarë konfirmimi nga disa aktivistë në lidhje me ngacmimet seksuale që ishin prezente brenda Lëvizjes. Ndërkohë që një konfirmim i plotë i kësaj dukurie u bë nga kryetari Kurti, i cili në platformën e tij i dha një hapësirë të madhe ‘çështjes gjinore’. Kur i lidhim këto të dyja, dmth ‘ngacmimet seksuale’ me ‘zhvillimin e komplekseve’ del e qartë se edhe brenda Vetëvendosjes kemi/kishim një përplasje të ashpër vlerash. Pra, nuk kishim ndonjë mospajtim në lidhje me parimet ose metodat e saj, e as thjesht një luftë për pushtet, por një përplasje mes dy performimesh të caktuara vlerash. Njëri prej të cilëve u konsiderua si ‘i zhvilluar nga komplekse’ nga tjetri.

Se çarja në Vetëvendosje ka një trajtë të rëndësishme private zbardhet edhe nga akuza që Kurti e pranoi se ia kishte bërë Molliqajt duke e quajtur ‘mikroborxhez’. Kur kjo ndërlidhet edhe me ato që thuhen e dihen për ngucjet seksuale, përdorimin e narkotikëve, alkolit, e të tjera, kuptojmë po të njëjtin impuls shoqëror brenda kësaj organizate për një tip sa më urban reprezentimi. Pra, performohet kërkesa e brendshme për një ndarje të skajshme me të kaluarën, me çdo mbetje të së kaluarës, hiqen ndrydhjet seksuale e kulturore – në emër të emancipimit ose lirisë – dhe kalohet në atë që disa e quajnë ‘shfrenim’. Kjo është ajo që Kurti nënkupton me ‘zhvillim kompleksesh’ e që trajtohet mjaft gjerësisht si një impuls i rrezikshëm nga shkrimtari rus, Fjodor Dostojevski.

Sidoqoftë, është e pamundur që e gjithë kjo të përjashtojë prizmin politik. Klisheja e shumë-përsëritur se gjithçka ka të bëj me seksin veç seksit, e se seksi ka të bëj me pushtetin, është e vërtetë. Por këtu pushtetin duhet kuptuar si të shpërndarë mes vetë njerëzve dhe relacioneve të tyre. Prandaj, Vetëvendosje gabon nëse mendon që përmes një paralizimi të një lufte për pushtet mund të sulmojë impulset që nisen nga komplekset dhe përfundojnë në performime çoroditëse vlerash. Është e rrugës të rimendohet një gjë e tillë. Njerëzit kanë aftësi të ndryshme, në fusha të ndryshme, dhe është e natyrshme që të kërkojnë të ngriten, të mësyjnë më shumë pushtet. Ky nuk është zullum, detyrimisht. Ky është një kanalizim energjish.

Se Kurti shihte rrezik në një performim të tillë vlerash kjo evidentohet pikërisht në platformën e tij ku ‘aktivisti më shumë se me aktivistët e tjerë dhe pushtetin, duhet të rrijë me vetë qytetarët’. Është e qartë se një performim i skajshëm i këtyre komplekseve të zhvilluara çon në një ndarje me vetë qytetarët, me kulturën dhe hallet e tyre. Reagimi i Kurtit duhej të ishte më strategjik në mënyrë që të mos shkaktonte aq shumë dëm në Lëvizjen e tij, por megjithatë ishte i nevojshëm.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila rridhte nga ‘lufta’ dhe nga njerëz të zonave rurale, në ngarendje për t’iu përgjigjur kërkesës shoqërore për tip sa më urban reprezentimi, u shkëput edhe nga lufta edhe nga zonat rurale – duke iu bërë të dyjave një instrumentalizim për efekte politike. Sot, veteranët e luftës nuk gëzojnë respektin e dikurshëm, as lufta, ndërkohë që votuesit e kësaj partie politike njësoj si të partive tjera në koalicion – janë të instrumentalizuar përmes një rrjeti klientelist.