Dukagjin Gorani: Kryeministri Mustafa i përmendi të gjitha pasojat, por jo edhe shkaqet që ia rrëzuan Qeverinë

Periskopi.com Intervista

Dukagjin Gorani, deputet dhe anëtar i kryesisë nga Lëvizja Vetëvendosje, flet për deklarimet e fundit të kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa, dhe të akuzave të tij ndaj kësaj organizate politike.

“Me një qasje të drejtpërdrejtë, Mustafa i përmbledhi pasojat që u prodhuan gjatë mandatit të tij si kryeministër. Patjetër, shumica e tyre janë ngjarje të vërteta dhe fakte të pamohueshme. Mirëpo, ai nuk i përmendi edhe shkaqet që i prodhuan këto pasoja. Pse u protestua aq masivisht dy vjet rresht? Pse u hodh gazi lotsjellës në Kuvend, për muaj të tërë? Kryeministri në detyrë refuzon ta pranojë se koalicioni me PDK-në më 2014 ka të ngjarë të ketë qenë gabimi i tij më i madh në karrierën politike…”, thotë ai.

Intervistoi: Shpend Gudaqi 

Periskopi: Z. Gorani, si i komentoni postimet e fundit plot pezm të Kryeministrit në detyrë, Isa Mustafa? Aty, Lëvizja Vetëvendosje akuzohet dhe goditet rëndë, si elementi kryesor destruktiv në stabilitetin politik të vendit.

Gorani: Është punë paksa e ndërlikuar të shpjegohet i gjithë hidhërimi i z. Mustafa. S’do mend, toni i postimeve të tij është tejet akuzues dhe shumë personal. Është interpretim plot pezm i krizës dhe incidenteve që i përjetoi gjatë qeverisjes së koalicionit me PDK-në. Me një qasje të drejtpërdrejtë, Mustafa i përmbledhi pasojat që u prodhuan gjatë mandatit të tij si kryeministër. Të shumtën, ngjarje të vërteta dhe fakte të pamohueshme.

Mirëpo, z. Mustafa nuk i përmendi edhe shkaqet që i prodhuan këto pasoja. Këtu, mendoj, shkaktohet jokorrektësia në postimet e tij. Cilat janë arsyet që prodhuan gjithë ato incidente gjatë mandatit të tij? Pse u protestua aq masivisht dy vjet rresht? Pse u hodh gazi lotsjellës në Kuvend, për muaj të tërë?

Nga ajo që vërehet në deklarimet e tij, duket se z. Mustafa refuzon ta pranojë se koalicioni me PDK-në më 2014 ka të ngjarë të ketë qenë gabimi i tij më i madh në karrierën politike. Ishte një vendim i ngutshëm i cili i dha kahje të kundërt entuziazmit të atëhershëm shoqëror për ndryshim. Ai vendim e prodhoi një histori alternative të shoqërisë sonë, të cilën po e jetojmë sot: një realitet të dëshpërimit, të ofendimeve të ndërsjella, të humbjes së shpresës dhe të besimit.

Me keqardhje më duhet ta përsëris se në postimet e tij kryeministri Mustafa nuk e përmend se po ai koalicion qeveritar nënshkruajti marrëveshjet e dëmshme të Zajednicës dhe Demarkacionit; se gjatë mandatit të tij, Astrit Dehari ynë vdiq në burg pa faj dhe pa prova, ndërkohë që akuzat e publikut ndaj qeverisjes së tij arritën nivele të papara që nga paslufta.

Periskopi: Megjithatë, Mustafa nuk e amniston as PDK-në, duke aluduar qartë në ‘tradhëtitë’ që iu bënë nga presidenti aktual Thaçi, ndërkohë që me përmendjen e ‘SHIK-ut’ e apostrofon tërthorazi edhe kryetarin aktual të PDK-së, Kadri Veselin?

Gorani: E vërtetë, por pak ka rëndësi kjo sot. Braktisja e bllokut VLAN më 2014 dhe koalicioni i z. Mustafa me PDK-në ishte uvertyrë në një katastrofë të paralajmëruar politike dhe shoqërore. Mendoj se asokohe Mustafa ishte i vetëdijshëm për këtë, por megjithatë besoi se me kohë do t’ia del ta udhëheqë një qeveri korrekte dhe të suksesshme. Kjo doli të ketë qenë një besim tërësisht i pabazë. Me gjasë, ai nuk i kishte kuptuar drejtë dy gjërat kryesore në dramën e shtetit të kapur në Kosovë: vëllimin e kapjes së tij nga struktura të ndërlidhura me PDK-në dhe shkallën e indiferencës së bashkësisë ndërkombëtare karshi kësaj situate.

Kështu, me t’u bërë kryeministër, Mustafa llogariti që përmes një kabineti të ri e të përkushtuar – por, edhe të kufizuar vetëm në korrektësi financiare e buxhetore – do t’ia dilte çkapjes strukturore e shumëvjeçare të shtetit. Për më tepër, llogariti edhe në ndihmesë konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, për të cilën besonte se do ta vlerësojë përkushtimin e kabinetit të tij dhe do t’i bëhej aleate në konfrontimin me ‘kapësit e vërtetë’ të shtetit – e me të cilët kishte hyrë në koalicion.

Jo vetëm që e gjithë kjo doli llogaritje e gabuar, por e shpalosi edhe një logjikë të vjetër politike që e karakterizoi LDK-në ndër dekada: atë se qeverisja nënkupton vetëm menaxhim të gjendjes ekzistuese, e jo edhe veprim politik për ta ndryshuar atë.

Shkurt, qeveria Mustafa u përpjek që përmes administrimit të financave dhe buxhetit publik t’i përmirësojë dëmet e shkaktuara nga vendimet politike në fushat krejtësisht të tjera, si dialogu poshtërues me Serbinë, demarkacioni problematik me Mal të Zi dhe Zajednica e kontestuar nga vet Kushtetuta e vendit. Ishte përpjekje absurde dhe e pamundshme.

Kësisoj, i gjithë përkushtimi i qeverisë Mustafa kaloi gati tërësisht i injoruar. Korrektësia e kabinetit të tij në administrim financiar të shtetit nuk mjaftoi për t’i përmirësuar vendimet katastrofale politike. Këtu, besimin e tij se një gjë e tillë ishte e mundshme e shoh si një anomali të kahmotshme në logjikën politike (jo vetëm) të tij dhe të LDK-së por edhe të shumë akterëve të tjerë publikë e politikë në Kosovë.

Periskopi: Për çfarë anomalie e keni fjalën?

Gorani: Gjatë mandatit të tij, kryeministri Mustafa dhe LDK-ja llogaritën në ndihmë e cila nuk ekzistonte në realitet. Llogaritën se vendimet e dëmshme – shembull, Demarkacioni e Zajednica – do të mbeteshin përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare meqë ajo shihej si sponsori kryesor i tyre. Llogaritën se, disi, bashkësia ndërkombëtare do të gjente mënyrë që ta detyrojë opozitën dhe kundërshtuesit e tjerë të pajtohen me këto vendime. Gabim i madh ky.

Gjatë mandatit të tij, Mustafa besonte se përgjegjësi e tij ishte vetëm menaxhimi i buxhetit dhe i kabinetit, ndërkohë që ‘vendimet e mëdha’ i kuptonte si domen i ndërkombëtarëve. Logjika e tillë, e ‘ndarjes së punëve’ në vendore dhe ndërkombëtare përbën një anomali të kahmotshme në interpretimin e mandatit qeverisës dhe të përgjegjësisë publike në politikën kosovare. Sot e kësaj dite, kjo logjikë dështon ta kuptojë drejt rolin dhe përgjegjësitë reale që bashkësia ndërkombëtare i ka në Kosovë. Ajo vërtetë është sponsoruese e çdo iniciative kosovare me rëndësi rajonale, por ajo nuk merr vendim për ty, e as nuk të detyron në veprim. Rregullisht, vendimi i fundëm është i yti. E, me këtë edhe përgjegjësia.

Fundja, ndërkombëtarët e përkrahën edhe aktgjykimin absurd të Gjykatës Kushtetueses mbi fituesin elektoral, edhe propozimin e Demarkacionit, edhe marrëveshjen mbi Zajednicën – por kjo nuk nënkuptoi se ata i nënshkruajtën ato në realitet. Formalisht, ata nuk sollën asnjë vendim: këtë e bëri qeveria jonë, Mustafa dhe Thaçi. Nëse i kritikoni sot ambasadorët e shteteve të Quintit për këto vendime absurde, do t’ju thonë se ato mbase mund të kenë qenë sygjerime të tyre, porse vendimin përfundimtar e mori koalicioni parlamentar dhe qeveritar i kryeministrit Mustafa. Një arsyetim i tillë mund të tingëllojë jokorrekt moralisht dhe i pavërtetë politikisht, porse është fakt juridikisht dhe një e vërtetë zyrtarisht.

Andaj, sot, me të drejtë, të gjitha këto vendime kuptohen si përgjegjësi të kryeiministrit Mustafa dhe të qeverisë së tij. Si të tilla, ato prodhuan edhe lotsjellësin në Kuvend, edhe vezët në rrugë.

Periskopi: Megjithatë, nëse lexohen me kujdes akuzat në postimet e tij, del se çdo bashkëpunim i mëtutjeshëm mes tij si kryetar i LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është tashmë i pamundur…

Gorani: Postimet e fundit të kryeministrit Mustafa flasin për një përjetim tejet personal të kundërshtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj këtyre vendimeve të dëmshme politike. Ai ka të drejtë të ndjehet i ofenduar, porse ky sentiment nuk i përcakton motivet e kundërshtimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Aksionet e saj ndaj qeverisë Mustafa asnjëherë nuk ishin personale. As ’70 dosjet në prokurori’ nga periudha e qeverisjes komunale, as përfshirja e familjarëve kurrë nuk kanë pasur motive personale, por vetëm publike dhe politike. Është e pakuptimtë që padia në prokurori të cilësohet si diskreditim personal. Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë të akuzojë dhe të kritikojë por nuk mund ta përcaktojë fajësinë ligjore të dikujt.

Sa për bashkëpunimin e mundshëm mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Mendoj se, mes tjerash, postimet e fundit të z. Mustafa janë po ashtu edhe përpjekje për ta bindur partinë e vet se mbetja e LDK në opozitë duhet të kuptohet ndëshkim i dyfishtë – si për partinë, ashtu edhe për mbarë shoqërinë. Duke qenë skajshmërisht i hidhëruar dhe i zhgënjyer, Mustafa po këmbëngul që shoqërinë e cila nuk e vlerësoi praninë dhe punën e tij, ta sfidojë me mungesën e tij dhe të partisë së tij në këto çaste të ngërçit institucional. Është ky reagim i kuptueshëm nga këndi personal dhe emocional, porse jo shumë i arsyetueshëm nga ai politik dhe publik.

Periskopi: Ai e akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se me veprimet e veta ‘i hapi rrugë atyre që po tentojnë të formojnë qeverinë me pazare e sekserë’…

Gorani: Po, ai po e fajëson Lëvizjen Vetëvendosje si bashkë-rrënuese të qeverisë së tij. Kjo është formalisht e vërtetë meqë deputetët e saj votuan për shpërbërjen e qeverisë së tij. Mirëpo, bindja e z. Mustafa se me këtë i ndihmuam PDK-së është absurde. Nuk ishte Lëvizja Vetëvendosje që bëri koalicion qeveritar me PDK-në, por ishte ai dhe LDK-ja.

Sipas tij, paska qenë dashur që qeveria Mustafa të vazhdojë sepse ka qenë e suksesshme. Kjo do të ishte e vërtetë nëse me sukses do të konsiderohej vetëm menaxhimi i financave publike, e jo edhe reformimi i sistemit të drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, etj. Mendoj se Mustafa po gabon kur po kufizohet vetëm në interpretimin byrokratik-menaxherial të konceptit të qeverisjes shtetërore, duke iu shmangur atij që përfshin edhe vendimet e veprimet politike. Vërtet, Mustafa dhe kabineti i tij e menaxhuan me sukses buxhetin, porse PDK-ja vazhdoi t’i kontrollojë gjithë të tjerat.

Mbi të gjitha, në postimet e veta z. Mustafa nuk shpreh fije konsiderate për lëndimet dhe pikëllimet që qeverisja e tij ia shkaktoi Lëvizjes Vetëvendosje. E përsëris, gjatë mandatit të tij, katër aktivistë tonë u arrestuan pa faj dhe pa dëshmi, të akuzuar sot e asaj dite për terrorizëm. Astrit Dehari, njëri prej tyre, vdiq në burg në rrethana të dyshimta dhe të pasqaruara.

Për mua është veçanërisht simptomatik injorimi i kësaj tragjedie në postimet e tij. Kjo lë përshtypjen sikur sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë – prokuroritë e policia – nuk ishin fare përgjegjësi e tij; sikur drejtorët e policisë, prokurorët dhe kryeprokurorët kuptoheshin jashtë rrezeveprimit qeveritar. Si është e mundur atëherë që tevona ambasadat e huaja të reagojnë ndaj shkeljeve gjatë emërimit të gjykatësve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kurse Mustafa dhe qeveria e tij të heshtin?

Kryeministri Mustafa sot mund të ndjehet i ofenduar, porse kjo nuk e arsyeton përshkrimin selektiv që ai ia bën gjendjes në shoqëri dhe qeverisjes së vet.

Periskopi: A pajtoheni që këto qëndrimet e fundit të z. Mustafa i dhanë fund përpjekjeve për koalicion mes LAA dhe LV?

Gorani: Refuzimin e tij që të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje e shoh të pakuptimtë. Personalisht, e konsideroj edhe si humbje për z. Mustafa meqë kam qenë i prirur që angazhimin e tij në LDK gjatë viteve ‘90 dhe më vonë ta interpretoj si reformator dhe progresiv. Ai megjithatë ia doli që, përkundër telasheve dhe kundërshtimeve të brendshme, ta mbledh rreth vete një ekip profesionistësh të rinj të cilët i besuan synimeve reformatore të tij.

Andaj, shpërthimet e mllefit të tij ndaj Lëvizjes Vetëvendosje janë për keqardhje. Ne nuk jemi armiku i tij, siç nuk ishim as gjatë kohës së VLAN-it. Ç’është e vërteta, synimet e tij reformatore për LDK-në do të mund të merrnin kuptim vetëm përmes një koalicioni qeveritar me një organizatë vitale dhe proaktive çfarë është Lëvizja Vetëvendosje. Brenda këtij bashkëpunimi do të mund të gjenin hapësirë veprimi kuadrot e reja dhe progresive që sot janë përfaqësues më të votuar në LDK. Kam frikë se çdo konstruksion tjetër ndërpartiak do t’i zhgënjente dhe do t’i largonte ata nga skena politike.

Mirëpo, ndryshe prej logjikës së deritashme të z. Mustafa, Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk ka besuar se në emër të ‘interesit të vendit’ duhet hyrë në koalicione me hajna dhe zhvatës të dëshmuar. Një logjikë e tillë rrezikon ta kuptojë ekzistimin e kriminelëve në politikë si një fakt shoqëror me të cilin duhet pajtuar. Një qëndrim i tillë ishte dhe mbetet absurd i llojit të vet.

Krejt në fund, nga një përvojë personale: prapa gjithë atij pezmi dhe zhgënjimi, besoj se postimet e fundit të z. Mustafa dëshmojnë për fatkeqësinë që e prodhon një situatë e pamundshme në jetën politike – kur përpiqesh të sillesh si burrë i mirë në shoqëri të keqe. Shoqërinë, sikurse edhe koalicionin, duhet ta zgjedhësh me bindje e vullnet, e jo t’i detyrohesh me inat.