fsk

“Dita e Forcës” e gjen Kosovën pa Forca të Armatosura

Në tetëvjetorin e themelimit të saj, Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë po ajo e para tetë vjetëve. Kjo për shkak të mostransformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës. Ndërkaq, transformimi i FSK-së në FAK sipas udhëheqësve të institucioneve do të ndodhë shumë shpejt, sepse, sipas tyre janë bërë të gjitha përgatitjet si nga ana legjislative ashtu edhe nga ana profesionale në shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, shkruan gazeta Zëri.

Periskopi.com Lajme

Mirëpo, ajo që është duke e penguar më së shumti këtë transformim është vendimmarrja politike, e mbi të gjitha mosgatishmëria e “Listës Serbe” për të votuar Ligjin për Transformimin e FSK-së në FAK.

Në shënimin e “Ditës së Forcës”, Ministri i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka qëndruar në Kazermën “Adem Jashari”, ku i ka uruar pjesëtarët e FSK-së, duke thënë se ministria ka bërë të gjitha përgatitjet ligjore dhe profesionale që kjo forcë të transformohet në Forcë të Armatosur të Kosovës. Sipas Demollit, ajo që e ka shtyrë mostransformimin e FSK-së në FAK është vendimmarrja politike dhe kundërshtimi i “Listës Serbe” për ta votuar në Kuvend Ligjin për FSK-në.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të transformohet në Forcë të Armatosur të Kosovës dhe e vetmja gjë që ne presim si ministri është vendimmarrja politike në Kuvendin e Kosovës. Ky proces nuk varet drejtpërsëdrejti nga ne, për arsye se ne si FSK kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, si në aspektin ligjor ashtu edhe në aspektin profesional. Kur them aspektin ligjor, ne si Ministri e kemi përgatitur draft-ligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura dhe këtë draft-ligj ia kemi dorëzuar Qeverisë së Kosovës e cila duhet ta procedojë në Kuvend dhe vetëm presim vendimmarrjen politike, e cila për shkak të zhvillimeve politike në Kuvend dhe sidomos për shkak mosgatishmërisë së “Listës Serbe” që ta japin votën, ky proces është shtyrë”, ka thënë Demolli. /Zëri/