Dhurata Hoxha flet për Gjykatën Speciale dhe marrëveshjet ndërkombëtare për ekstradime

Në intervistën dhënë “Indekonlinë”, të fundit për 2016, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha flet për fokusimin e kësaj ministrie në vitin 2017, sukseset dhe dështimet e MD-së në vitin që lamë pas. Ministrja Hoxha flet edhe për rastin e Astrit Deharit, arratisjes së të dënuarve të rastit “Medicus”, ekstradimin e Xhabir Zharkut. Ministrja tregon  se viti 2017 do të nis me nënshkrimin e disa  marrëveshjeve për ekstradim me disa shtete.

Periskopi.com Intervista

Në vitin 2017 pritet të  funksionalizohet Gjykata Speciale. Sa është e gatshme Ministria e Drejtësisë, t’i dal në ndihmë kësaj gjykate?

Dhurat Hoxha: Përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje është tejet e limituar, andaj bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë në këtë drejtim do të jetë në pajtim me këtë përgjegjësi.

A do të jetë një sfidë tjetër për sistemin e drejtësisë, Gjykata Speciale?

Dhurata Hoxha: Sfidë mbetet procesi i synuar integrues euro-atlantik, dhe besojmë fort se do ta kalojmë me sukses.

Cilat janë planet e ministres për pavarësimin e gjyqësorit dhe prokurorisë nga politika, pasi Raporti i Progresit ka paraqitur si pengesë ë ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë?

Dhurata Hoxha: Pavarësia e gjyqësorit është thelbësor për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Ministria e Drejtësisë ka iniciuar formimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si kategori e pavarur kushtetuese, që deri më tani ka qenë pjesë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Qeveria ka siguruar, po ashtu, mjete shtesë për gjyqtarë dhe prokurorë për ta mbështetur edhe më tej pavarësinë e gjyqësorit. Ministria e Drejtësisë është e obliguar ta respektoj pavarësinë e gjyqësorit, sistemin prokurorial si dhe mbikëqyrjen e tyre nëpërmjet instrumenteve të brendshme të këtyre institucioneve, pa ndikim nga jashtë.

Këtë vit, sidomos muajt e fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës ka marr kritika të mëdha për keq menaxhim. Çka do të bëni ju si ministre e Drejtësisë për përmirësimin e gjendjes në SHKK?

Dhurata Hoxha: SHKK dhe Shërbimi Sprovues është duke zbatuar praktikat më të mira në këtë fushë. Lëshimet e mundshme në zinxhirin e funksionimit dhe komandimit janë duke u evidentuar dhe duke u përmirësuar. Jeni në dijeni për veprimet ndaj shkeljeve të supozuara, duke i mënjanuar të gjithë ata që janë në procedurë gjyqësore, kemi rezultate edhe sa i takon luftimit të korrupsionit brenda institucioneve korrektuese.

Rasti i vdekjes së aktivistit të VV-së në burgun e Prizrenit, Astrit Dehari, hapi çështjen e sigurisë në burgje. A ka siguri në burgjet e Kosovës, dhe cilat janë planet e MD-së për rritjen e sigurisë në burgje?

Dhurata Hoxha: Siguria në burgje, krahasuar me regjionin është pakrahasueshëm më e mirë. Ne jemi duke zbatuar praktikat më të mira në këtë fushë, me legjislacion që mund të duket në shikim të parë gjeneroz por është sistem që ruan të drejtat dhe liritë e njeriut, është sistem human ku trajtimi ka standarde të larta. Sigurisht, ka vend për përmirësim por percepcioni i krijuar, është i ndikuar nga politika.

A besoni se vitin e ardhshëm do të bëni marrëveshje ekstradimi edhe me disa shtete, me të cilat ende nuk ka marrëveshje të tilla?

Dhurata Hoxha: Po, me disa shtete do të fillojmë së zbatuari marrëveshjet e ekstradimit, kështu do të lehtësojmë zbatimin e ligjit dhe vendosmërinë që proceset e hapura juridike të realizohen. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne do të krijojmë praktikat e mira të komunikimit të ndërsjellë edhe pse disa shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Besojmë se askush nuk do të ketë mundësi t’i ikë zbatimit të drejtësisë.

Kemi rastin e arratisjes së ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, si dhe arratisja e fundit e të dënuarve të rastit “Medicus”. Çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë për ekstradimin e tyre dhe vuajtjen e dënimit?

Dhurata Hoxha: Edhe rasti “Xhabir Zharku” edhe rasti i të dënuarve në rastin “Medicus” janë në proces, ato që i ofron bashkëpunimi ndërkombëtar për momentin nuk janë duke i dhënë frytet e pritura nga ne. Ministria e Drejtësisë ka zbatuar të gjitha kërkesat e organeve tona gjyqësore lidhur me këto raste dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat që këto kërkesa të realizohen.

Përveç këtyre dy rasteve, është edhe rasti i ekstradimit të të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, ish-bashkëshorti i saj Adnan Jashari, i cili që nga viti 2011 gjendet në duar të autoriteteve spanjolle. Çfarë ka bërë Ministria e Drejtësisë në këtë aspekt sa i përket mundësisë së ekstradimit të tij nga autoritetet spanjolle tek ato vendore?

Dhurata Hoxha: Veprimet e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë për ekstradimin e këtij personi të kërkuar është në proces. Marrëveshja për bashkëpunim juridik ndërkombëtar me Spanjën në këtë rast por edhe problemin i njohjes së shtetit tonë nga Spanja e komplikon çështjen. Ky person ka fletë kërkim ndërkombëtar për arrest, çështje që kanë ngritur institucionet tona. Sigurisht se do të jemi të përkushtuar që rasti të mbyllet në favor të drejtësisë së vendit tonë.

Cili do të jetë fokusimi i ministres së drejtësisë për vitin e ardhshëm në këtë institucion?

Dhurata Hoxha: Rishikimi gjithëpërfshirës i sistemit të drejtësisë, fuqizimi i zbatimit të ligjit dhe ngritja e performancës së çdo njësie të Ministrisë së Drejtësisë.

Çka mund të cilësoni sukses dhe  çka dështim të sistemit të drejtësisë për këtë vit?

Dhurata Hoxha:   Hartimi i ligjeve, zbatimi i ligjeve, fuqizimi i ligjit si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar përbëjnë disa nga sukseset e ministrisë. Dështim mund ta shohim profilizimin e pamjaftueshëm të segmenteve të caktuara brenda sistemit të drejtësisë, komunikimi i brendshëm ndërinstitucional dhe specifikimi i përgjegjësive që lidhet me llogaridhënien, mund të jenë disa nga dobësitë e këtij dikasteri./

Reklamë
Reklamë