bspk-e1479978479800-650x358

Dënohen me kusht zyrtarët e BSPK-së

Bahri Shabani, Rrahman Emini e Sami Rrahmani, të akuzuar për përvetësim në detyrë, u dënuan me kusht nga Gjykata në Prishtinë.

Periskopi.com Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Bahri Shabanin, Rrahman Eminin e Sami Rrahmanin që në cilësinë e zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës akuzoheshin për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Bahri Shabani u dënua me dy vjet burg me kusht, Rrahman Emini me 1 vjet e gjashtë muaj burg të tillë dhe Sami Rrahmanit gjykata i shqiptoi burg me kusht prej 1 viti.

Të tre nuk duhet të kryejnë vepra tjera penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm nëse nuk duan të përfundojnë në burg për dënimet që iu shqiptuan sot.

Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtarë në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës në bazë të marrëveshjes kanë përvetësuar mjete financiare.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Bahri Shabani si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini financier i saj dhe Sami Rrahmani shofer, kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendonte se në bazë të urdhrit të Shabanit, i akuzuari Emini më 11 nëntor 2005 ka tërhequr nga arka si huazim për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale shumën prej 11 mijë e 500 eurove, të cilat i ka pranuar i akuzuari Sami Rrahmani, ndërsa për këtë nuk ka ekzistuar ndonjë kontratë huazimi me ministrinë.

Si rrethanë lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit nga gjykata u mor koha e kryerjes së veprës penale, ndërsa Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës u udhëzua që të kërkojë kompensim në kontest civil. /KALLXO.com