terrorizem

Dënohen imamët për rekrutim të shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në Siri

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka dhënë dje dënimin përfundimtar për nëntë të pandehurit e akuzuar për veprën penale “rekrutim të shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në Siri”, për të luftuar për grupimet terroriste ISIS. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë për të pandehurit Gert Pashja dhe Genci Balla, të cilët do të vuajnë dënimin me 17 vite burg. Ndërsa në fuqi është lënë edhe vendimi për imamin Bujar Hysa, i cili do të vuajë dënimin me 18 vjet burg.

Periskopi.com Lajme

Ndërkohë, 13 vite burg janë dhënë për Edmond Ballën, 10 vjet burg për Verdi Moravën, 10 vjet burg për Fadil Myslimanin. Ulje dënimi ka përfituar edhe i pandehuri Zeqir Imeri, ku nga 16 vjet, atij i është ulur në 13 vjet burg. Sakaq, i pandehuri Astrit Tola do të kryejë 4.8 vite burg dhe Orion Reçi do të kryejë 6.8 vite burg. Nëntë të pandehurit u arrestuan në vitin 2014, nën akuzën e rekrutimit të personave për të luftuar në Siri. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka qenë një nga më të bujshmit në vend. Në shumë raste të pandehurit kanë kërcënuar trupin gjykues, si dhe kanë shpërfillur autoritetin e gjykatës.

Edhe ditën e djeshme, ata kanë braktisur seancën në mesditë, për arsye se kishin për të kryer ritualin e faljes. Momentin kur gjykata do të jepte vendimin përfundimtar, ata janë kthyer përsëri në sallë. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga gjykata që t’u krijohen kushtet në burg, për t’u falur. Si në seancat e tjera të mëparshme, edhe dje ka pasur masa të rrepta sigurie, si në ambientet e brendshme të gjykatës, ashtu edhe jashtë saj. ndërsa nuk kanë munguar as mbështetësit e shumtë të të pandehurve.

Imami i vetëshpallur: Ditë më të vështira po vijnë për myslimanët Imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Armand Ali, ka folur për mediat pasi Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda dha vendimin për 9 të pandehurit që rekrutonin luftëtarë për ISIS. Sipas tij po vijnë ditë të vështira për myslimanët, ndërsa sulmoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, që sipas tij është në varësinë e organizatës së Fetullah Gulen. “Nuk pritej asnjë ndryshim edhe nga Apeli, sepse edhe Gjykata e Apelit është pjesë e këtij sistemi drejtësie.

Gjithë besimtarët myslimanë nuk do të presin mirësi, vetëm kohë të vështira do t’i vijnë të gjithëve. Vetëm ditë më të këqija do të vijnë. Terrori po shtohet ndaj besimtarëve myslimanë. Unë po flas si një hoxhë, si një imam”, është shprehur Ali. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dha vendimet për të akuzuarit për terrorizëm. Ulje pati vetëm për disa nga të pandehurit, ndërsa për të tjerët u lanë në fuqi vendimet e Shkallës së Parë.