Dëmtohet pllaka përkujtimore e dy serbëve të zhdukur në Rahovec

Periskopi.com Lajme

Pllakat përkujtimore të dy gazetarëve serbë të zhdukur në vitin 1998 në Rahovec, janë dëmtuar nga persona të panjohur deri më tani për Policinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj, e ka konfirmuar rastin për lajmi.net, ku ka bërë të ditur që patrulla policore në Rahovec ka vërejtur se ishte dëmtuar dhe tërhequr pllaka përkujtimore e dy gazetarëve serb që konsiderohen të zhdukur që nga lufta e fundit në Kosovë.

“Me datë 12.02.2018, në ora 13:55, patrulla policore e stacionit policor në Rahovec ka vërejtur se ishte dëmtuar dhe tërhequr pllaka përkujtimore e dy gazetarëve serb që konsiderohen të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila gjendet në një zonë malore të pa mbikëqyrur. Policia ka marrë të gjitha masat e duhura dhe rasti po hetohet nga sektori i hetimeve të stacionit policor në Rahovec në koordinim me prokurorin e shtetit” bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, kjo është hera e gjashtë që po dëmtohet kjo pllakë përkujtimore e vendosur për gazetarët serb, Gjuro Slavuj dhe Sllavko Pereniq, të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.