pavaresia

Demaj: 28 Nëntori të kthehet në kalendar, jo të quhet thjeshtë dita e shqiptarëve

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë apo 28 Nëntori, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptarë në Gadishullin Ilirik.

Periskopi.com Lajme

Që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ngjarjet janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ku në fillim të shekullit XX, vëmendja e shqiptarëve zhvendoset në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare me Kongresin e Manastirit dhe hapjen e shkollës Normale të Elbasanit.Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, i paraprinë disa ngjarje të rëndësishme si Kryengritja e Kosovës e cila nuk mobilizoi të gjithë shqiptarët por që i dha sinjalet e veta.Ngritjes së flamurit më 28 Nëntor i parapriu ngritja e flamurit në Deçiq të Shkodrës më 1911, për të vazhduar me kryengritjet e vitit 1912, e cila e solli shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.Profesori dhe shkruesi i shumë librave të Historisë në Kosovë, Frashër Demaj, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë u bë në rrethana specifike.Historiani Demaj ka thënë se në kohën kur po përgatitej shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, lufta ballkanike kishte filluar dhe aleatët ballkanik kishin nënshkruar marrëveshje politike e diplomatike për atë që e quanin trashëgimia osmane, që në fakt ishin territoret e banuara me shqiptarë.Demaj ka thënë se fillimisht kishte përpjekje që pavarësia të shpallej në Shkup por fillimi i luftërave ballkanike i pamundësoi këto pretendime dhe pastaj u zgjodh Vlora.“Para se të shpallej pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të krahinave, aty ku mundeshin të ngrinin flamuj sepse ngritja e flamujve si në Durrës e në Kavajë etj. Më 26 nëntor dërgonte një mesazh të qartë edhe tek ushtritë ballkanike por edhe te diplomacia ndërkombëtare se shqiptarët po bëheshin gati që të shpallnin shtetin e tyre. Më 28 Nëntor viti 1912, delegatët e shumë krahinave shqiptare, jo të të gjithave sepse aty mungon Isa Boletini që ishte përfaqësues i Kosovës. Isa arrin të nesërmen bashkë me bashkëpunëtorët dhe luftëtarët e tij, ishte me rreth 100 ushtarë”, ka thënë Demaj.

Profesori i historisë Frashër Demaj, ka thënë se pavarësia e shtetit shqiptar u shpall me të gjitha vilajetet shqiptare por që ishte konferenca e Ambasadorëve në Londër që i filloi punimet më 17 dhjetor të vitit 1912, ajo që do të përcaktonte fatin e shqiptarëve, më saktësisht ku do të ishin kufijtë e shtetit të copëtuar shqiptar.“Pretendimi i diplomatëve si Hasan Prishtina, pastaj Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi etj, ishte që shteti shqiptarë të krijohej në këtë hartë, me gjithpërfshirje të territoreve shqiptare. ( te qitet harta e 1877)Harta tjetër ose propozimi tjetër për përfshirjen e shtetit shqiptar brenda kufijve etnik ishte propozimi Austro-Hungarez. Propozimi Austro-Hungarez në njëfarë mënyre me disa ndryshime përfshinë këtë hartë që ekziston edhe sot. Propozimi tjetër që ishte kogja propozim që u mor parasysh dhe shumë pati përplasje, shumë pati kundërthënie, kundërshtime në konferencën e ambasadorëve në Londër, ishte propozimi rus. Propozimi i ambasadorit rus, pjesëmarrës në konferencën e ambasadorëve në Londër që e parashihte vetëm një Shqipëri të vogël atje, do me thënë në Durrës e poshtë edhe të pafuqishme, me tendencë që ajo do të shkatërrohej dhe prapë do të pushtohej. Pra, harta e tretë formalisht parashihte ekzistimin e një Shqipërie të vogël por esencialisht pretendonte që ta zhdukte edhe atë grimë Shqipëri nga faqja e dheut”, ka thënë ai.

Përcaktimi i kufijve të Shqipërisë kishte ngjallë reagime dhe propozime të ndryshme nga shtetet e rajonit, ku Mali i zi kërkonte ta merrte Shkodrën, kurse, Prizreni, Peja e Gjakova t’i takonin Shqipërisë.“Kishte disa mendime të ndryshme sepse malazezët kishin ngul këmbë për Shkodrën, në qoftë se Shkodra do t’i kalonte Malit të Zi, ishte një variant që Prizreni, Gjakova dhe Peja t’i kalonin Shqipërisë, por prapë kjo nuk do të realizonte interesin e popullit të shqiptarë sepse hipotetikisht në qoftë se në atë kohë Prizreni, Gjakova dhe Peja do t’i kalonin Shqipërisë, atëherë kjo pjesa tjetër, rrafshi i Dukagjinit që e quajmë sot dhe pjesa komplet e rrafshit të Kosovës do të sllavizohej, do të serbizohej. Kosova ishte vilajet edhe në kohën e perandorisë Osmane dhe kjo në njëfarë mënyrë ndikoi që shqiptarët në Kosovë të jenë të mobilizuar, të jenë numerikisht kogja sepse po të ishte numër i vogël nuk do të bëhej punë dhe kjo praktikisht i shpëtoi shqiptarët apo thënë më mirë iu krijoi mundësi që ata të realizojnë interesat e tyre”, ka deklaruar Demaj.

Sipas profesorit të Historisë, Frashër Demaj, liderët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të reflektojnë në këtë festë kombëtare të shqiptarëve.Demaj po ashtu ka thënë se 28 Nëntori duhet të kthehet në kalendarin e festave shtetërore, pasi kjo ditë nuk mund të quhet aq thjeshtë “festa e Shqiptarëve”.“Prandaj po e them edhe një herë që institucionet në Kosovë dhe Shqipëri më 28 Nëntor duhet të reflektojnë, madje institucionet e shtetit të Kosovës duet ta kthejnë kalendarin e festave, 28 Nëntorin, nuk mund të quhet 28 Nëntori kaq thjeshtë, dita e shqiptarëve. 28 Nëntori nuk është ditë e thjeshtë e shqiptarëve, 28 Nëntori, për 28 Nëntorin kontribuan shqiptarët, kontribuoj Kosova, 28 Nëntori nuk i bënë sherr askujt, kë e cenon festa kombëtare e shqiptarëve, as nuk cenon komunitetet pakicë që janë në Kosovë, as nuk cenon shtetet fqinje të rajonit. Edhe perspektiva e shqiptarëve, shqiptarët janë popull paqësor por që kanë të drejtë të mbrojnë interesat e tyre dhe të realizojnë interesat e tyre kombëtarë”, ka deklaruar ai.

Në vitet 1943/44, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, ishte organizuar Konferenca e Bujanit në Bujan të Gjakovës, ku morën pjesë serbë, shqiptarë etj.Në këtë konferencë, sipas Demajt, u miratua një rezolutë ku u përcaktua që pas përfundimit të luftës, shqiptarët e Kosovës do të deklaroheshin me vullnetin e vet politik për bashkim me Shqipërinë, gjë që kishte entuziazmuar edhe bartësit e luftë së dytë botërore por që ky ishte një mashtrim i madh.Serbia nuk e aktivizoi asnjëherë rezolutën e Bujanit, por e miratoi një dokument tjetër ku thuhej që Kosova do t’i bashkohej Serbisë.Ishte aksioni i armëve në vitin 1956 ai i cili bëri që familje të tëra shqiptare të burgosen, dhunohen e persekutohen nga serbët me arsyetimin se po mbanin armë.“Është aksioni i armëve në vitin 1956, një ngjarje e dhimbshme për historinë e Kosovës ku qindra mijëra shqiptarë, familje të tëra shqiptare u dhunuan, u burgosën u persekutuan me arsyetimin se po mbanin armë kundër shtetit serb dhe kundër shtetit jugosllav, dhuna që bënte Serbia ndaj shqiptarëve qoj në demonstratat e vitit 1968, pastaj si rezultat i përpjekjeve ë shqiptarëve në protestat e vitit 1968 në njëfarë mënyre Kosova e avancoj statusin e vet në kuadër të Serbisë dhe Jugosllavisë u miratua kushtetuta e vitit 1974 e cila Kosovën e nxirrte në njëfarë mënyrë nga kthetrat e Serbisë dhe e bënte element konstituiv të federatës jugosllave pavarësisht se kishte një kushtetutë shumë hibride edhe të Kosovës edhe të Serbisë që nuk e shkëpuste në 100 për qind, madje Serbia bëri një shpifje termin kombësi për arsye të shqiptarëve dhe të hungarezëve me idenë që ata popuj shqiptarët dhe hungarezët që i kanë shtete e tyre amë nuk mund të jenë kombe dhe nuk mund të kenë republikat e tyre brenda shtetit jugosllav dhe kjo bëhej me tendencë për të mos lënë Vojvodinën dhe Kosovën që të shkëputeshin nga Serbia”, është shprehur Demaj.

Me krijimin e bazës kushtetuese me Kushtetutën e vitit 1974, Demaj thotë se Kosova krijoi shumë institucione arsimore si Universitetin e Prishtinës, institutet kërkimore shkencore si ai i Historisë, Albanologjisë, Akademinë e Shkencave etj. gjë që bëri që shqiptarët për një periudhë të shkurtër të avancohen në kuptimin e emancipimit, qytetërimit e arsimimit.Ishte viti 1987 kur filluan prapë demonstratat dhe kërkesat e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre në kuadër të Jugosllavisë.“Viti 1987 prapë kishte përplasje, ’88-a vazhdoi me demonstrata e protesta kundër Serbisë dhe Jugosllavisë por me kërkesa politike për Republikën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Pra, shqiptarët kërkuan që të ishin republikë si të gjitha republikat tjera, ishte kjo faza e parë e ngritjes apo po themi shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Gjithsesi, Serbia nuk u tregua e gatshme që të shembet në asnjë moment në këto kërkesa politike të shqiptarëve. Më 1989, në vend që t’u njihte të drejtat e shqiptarëve, regjimi i Millosheviqit bëri suspendimin e autonomisë së Kosovës, përjashtoi shqiptarët nga institucionet, ia mori edhe atë autonomi që e kishte dhe si kundër reagim të kësaj delegatët e Kuvendit të Kosovës bënë një reagim të mençur politikisht dhe një veprim i cili ka bazë historike, politike, juridike, kushtetuese, çfarë duash për t’u avancuar Kosova më tutje. Më 2 Korrik shpallën deklaratën kushtetuese me të cilën Kosova bëhej njësi e barabartë në federatën apo konfederatën Jugosllave, varësisht si do organizohej ky shtet”, thotë Demaj.

Ai thotë se të njëjtit delegatë që e shpallën deklaratën kushtetuese ku Kosova bëhej shtet i barabartë në Jugosllavi, më 7 Shtator 1990 e miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës.Historiani Demaj shtoi se pavarësisht që këtë republikë nuk e njohu askush, ky veprim ishte bazë e mirë për t’u avancuar më tej çështja e shtetit shqiptar.“Pastaj filloi politika paqësore e udhëhequr nga presidenti Rugova që i dha frytet e veta sepse duhej që në botë të sensibilizohej çështja e shqiptarëve të Kosovës përndryshe lufta do të quhej e humbur dhe kur e analizojmë dhe bëjmë krahasime që na lejohen në mes të çështjes së Kosovës dhe çështjes së Bosnje e Hercegovinës, atëherë mençuria më e madhe që bënë shqiptarët në vitet e ’90-a, ishte sensibilizimi i çështjes së Kosovës. Dhe në qoftë se Bosnje e Hercegovina ishte Republikë apo shtet brenda një federate dhe në luftën e Bosnjës u vranë diku 400 mijë njerëz dhe Bosnja prapë u nda me tri entitete politike e besa edhe kombëtare, atëherë në Kosovë konsiderohen rreth, nuk janë 15 mijë por rreth 12 deri në 15 mijë të vrarë në luftë dhe viktima në luftës etj, atëherë, bilanci i viktimave të Kosovës në raport me Bosnjën është shumë më i vogël dhe kjo meritë duhet t’i atribuohet se ne shqiptarët duhet të lirohemi nga inatet personale”, thotë Demaj.

Në fund të viteve 98-99, fillon lufta e UÇK-së, e cila i nxiti fuqitë e mëdha që të merreshin edhe më seriozisht me çështjen e Kosovës. Demaj thotë se Serbia në vend që të reflektonte, prapë dhunoi shqiptarët, bëri masakra të papara nga civilizimi evropian dhe botëror.Regjimi i Millosheviqit asnjëherë nuk deshi t’i marrë seriozisht vërejtjet që i bëri diplomacia ndërkombëtare, më saktësisht diplomacia e SHBA-ve. Po ashtu, duke e pasur përkrahjen nga Rusia, nuk e mendonte asnjëherë që NATO-ja dhe SHBA do të marrin guxim që të bombardojnë Serbinë.Më 24 mars të vitit 1999 caqet serbe u bombarduan, por pati shumë pak viktima civile, pasi që tendenca e NATO-s nuk ishte që të viktimizonte një popull për të shpëtuar një tjetër por donte që të godiste një regjim i cili po vriste shqiptarët.Pastaj janë të mirënjohura marrëveshja e Kumanovës, tërheqja e forcave serbe, konferenca e Rambujesë, e cila natyrisht ishte e rëndësishme, hyrja e trupave të NATO-s dhe rikthimi i shqiptarëve në Kosovë.Kurse, data më e rëndësishme e shqiptarëve në historinë e re pas 28 nëntorit 1912, është ajo e 17 shkurtit 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, shtetit të dytë shqiptarë në botë./KosovaPress/