Daçiq flet në Këshillin e Sigurimit të OKB’së për dialogun me Kosovën

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB’së se Serbia është gati për zgjidhje kompromisi.

Megjithatë, siç thotë ai, Prishtina nuk i zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel. Përveç kësaj, Daçiq kërkoi që Asociacioni i Komunave Serbe të zbatohej pa vonesë.

Në fjalimin e tij drejtuar ambasadorëve të anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, Daçiq kërkoi ndryshimin e mandatit të UNMIK’ut, në aspektin se prania e misionit të OKB-së është jetësore për ndërtimin dhe përmirësimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë, raporton “b92”, transmeton Periskopi.

“Duhet të them se pas gati katër vjet e gjysmë, nuk ka përparim në zbatimin e detyrimeve të ndërmarra në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si një pjesë kyçe e Marrëveshjes së Parë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, për habinë tonë, nuk është përmendur as në raport, është çështja më e rëndësishme për ne, e cila duhet të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së interesave të serbëve në Kosovë,” tha Daçiq.

Ai tha se Serbia “si më parë, është e përkushtuar fuqimisht dhe sinqerisht në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës të udhëhequr nga ndërmjetësimi i BE”.

“Pavarësisht dyshimeve, kritikave dhe sfidave të shumta me të cilat ballafaqohemi në këtë proces, Serbia ka demonstruar konstruktivitetin dhe gadishmërinë e saj për të gjetur zgjidhje kompromisi, të cilat nuk janë të lehta”, tha Daçiq./Periskopi/