Collina para ndeshjeve të Champions League u jep një mesazh gjyqtarëve

Periskopi.com Sporti

Këtë mesjavë kthehen ndeshjet e Ligës së kampionëve dhe Europa League, ndërsa UEFA ka dhënë udhëzimet e saj për të gjithë gjyqtarët.

Shefi i Arbitrave në qeverinë e futbollit evropian, Pierluigi Collina ka kërkuar kujdes në gjykimin e ndeshjes, duke e vënë theksin te fakti se lojtarët duhet të mbrohen nga ndërhyrjet e rënda, që marrin gjatë zhvillimit të sfidave.

E gjithë kjo erdhi pas kërkesës së bërë nga trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, që u kërkoi arbitrave të kujdesen më shumë për ata që ai i cilëson si artistët e kësaj loje, pas dëmtimit të pësuar nga Sanè në ndeshjen e “FA Cup” me Cardiffin.

“Futbollistët janë të rëndësishëm, na duhen, kështu që duhen mbrojtur. Nuk duam të shohim situata në të cilat e ardhmja e një lojtari të vihet në dyshim për shkak të një ndërhyrjeje shumë të ashpër, pak rëndësi ka nëse është e qëllimshme apo jo, pasi lojtari në raste të tilla rrezikon dëmtim serioz. Lojtarët duhet të kuptojnë se duhet të respektojnë kundërshtarin e tyre dhe t’u rezervojnë atyre të njëjtin trajtim si për veten e tyre”, tha Collina.

Por jo vetëm kaq. UEFA këshilloi gjyqtarët që të mos bien pre e presioneve nga lojtarët, kur ata i rrethojnë pas një vendimi të marrë në fushën e lojës, pasi sipas saj është e papranueshme.