Çka po ndodh me futbollin në Kosovë?

Tahir Ahmeti Letra

Pothuajse 19 vite nga çlirimi, dhe 10 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, fatkeqësisht dhe mjerisht, progres ka shumë pak, si në aspektin e infrastrukturës, cilësisë apo organizmit të futbollit.

Sa herë që kalojë afër stadiumit të futbollit të Prishtinës, menjëherë mendja më kthehet tek vitet e 90-a, atëherë edhe unë si shumë të rinj e kisha në zemër, por edhe merresha aktivisht me futboll.
Tek kaloja afër stadiumit, rrugës për të arritur në ushtrime, lart në një fushë pothuajse të improvizuar të futbollit në Dragodan, me indinjatë dhe mllef shihja një stadium të bukur të futbollit, mu në mes të Prishtinës por që ishte i mbyllur për ne sportistët shqiptarë. Ishte vërtet një ndjenjë e trishtuar, një demoralizim i pafundtë, por prapë me shpresën se një ditë do të kthehemi aty, vazhdoja rrugën për në fushën e futbollit në Dragodan. Kështu ndodhi për vite të tëra deri sa më në fund, pas çlirimit, në mbarim të vitit 1999, edhe pse për një periudhë të shkurtë, edhe unë e realizova atë ëndrren, që të zhvilloja ndeshjet e futbollit aty.

Por, ku është futbolli i Kosovës sot?

Pothuajse 19 vite nga çlirimi, dhe 10 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, fatkeqësisht dhe mjerisht, progres ka shumë pak, si në aspektin e infrastrukturës, cilësisë apo organizmit të futbollit.
Të them të drejten në kohen e okupimit, stadiumet e futbollit kanë qenë të mbyllura por cilësi ka pasur, edhe pse ndeshjet kryesisht janë zhvilluar në fusha të improvizuara(livadhe), ka pasur një vetëorganizim të mirëfilltë, aq sa ka qenë e mundur të bëhet në rrethana të okupimit.
Mendoj qē ka ardhë koha që të behet më shumë për futbollin, më nuk mund të ketë arsyetime, sidomos jo tani pas pranimit në FIFA dhe UEFA.

Çka duhet të bëhet?

 

Federata e futbollit, të vazhdojë me reforma brenda federatës, ngritjen e kapaciteteve menagjuese, dhënien e ndihmës në organizmin e klubeve, trajnimin e nevojshëm të trainerëve, referëve, delegatëve si dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në organizimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e garave të futbollit, të afrohen njerëz të rinj, të afrohen ish-sportistë, ish-futbollistë që mund të japin kontribut në avancimin e përgjithshëm të futbollit në Kosovë.
Të hartojë plane afatgjatë dhe të shohë mundësitë që të bëj riorganizim të ligave të futbollit, në mënyrë që të rritet atraktiviteti, konkurenca dhe  cilësia e futbollit, dhe që shikuesit të kthehen në stadiumet tona (tek e fundit, futbolli luhet për shikues), gjithmonë po flasim që këto të bëhen në bashkëpunim me instancat më të larta të futbollit ndërkombëtar FIFA dhe UEFA, dhe në kuadër të rregullave të tyre.

Klubet e futbollit, poashtu të punojnë në ngritjen e cilësisë, të jenë të organizuara profesionalisht, ashtu si duhet të jetë i organizuar një klub, që së bashku me Federatën e Futbollit, të trajnojnë dhe licensojnë të gjithë ata që janë të inkuadruar në klub, duke filluar nga ekonomisti i klubit e deri tek drejtorët sportivë, të investojnë më shumë në grupmosha të reja, por në të njejtën kohë të sjellin lojtarë me përvojë nga rajoni apo më gjerë, që do ta rrisnin cilësinë dhe konkurrencën në ekipe, të përmirësonin kushtet për futbollistët, qoftë kushtet e punës por edhe ato materiale (duhet të punohet shumë më shumë në afrimin e donatorëve, tani më që edhe është miratuar në kuvend ligji për sponzorizim), të dilet prej rrethit vicioz të trajnerëve në Kosovë, të cilët pothujase çdo gjashtë muaj ndërrohen në formë rokade, nga një klub në klubin tjetër, pra nuk do ishte keq që të sillen trajnerë me përvojë ndërkombëtare, në mënyrë që të rritet cilësia e futbollit.

Ministria e sportit, të hartojë planë afatgjatë për zhvillimin e futbollit, që 3-4 vitet e ardhshme futbolli të jetë prioritet i kësaj ministrie, por edhe i qeverisë në përgjithësi, sa më shumë të punojë për përmirësimin e infrastrukturës (disa hapa veç sa kanë filluar të bëhen, me planifikimin për ndërtimin e disa fushave me bar sintetetik, në disa komuna të Kosovës), por që duhet të vazhdohet të bëhet shumë më shumë në këtë aspekt.

Të gjitha këto që u përmendën më lart, pra Federata e Futbollit, Klubet dhe Minstria e Sportit duhet që sa më shumë të koordinohen mes vete dhe të punojnë së bashku, në të kundertën futbolli do të mbes kështu si është në cilësi, shikuesit vështirë që do të iu kthehen shkallëve të stadiumeve, ndërsa në garat ndërkombëtare do të shkojmë vetëm si turistë.