Çela: Procesi i demarkacionit kaloi nga profesionistët tek politika

Periskopi.com Lajme

Eksperti i demarkacionit, Tomor Çela, përmes një artikulli dërguar mediave, ka kritikuar komisionin për demarkacion të cilët thotë se kanë qasje të munguar profesionale dhe shkatërruese për shtetin.

Çela ka thënë po ashtu se procesi për shënjimin e kufirit të Republikës së Kosovës, po vazhdon të përcillet me debate të ashpra, “të cilat tashmë kanë kaluar peshën profesionale dhe ekspertizën shkencore, duke adresuar problemin tek përfaqësuesit politikë”.

“Për mendimin tim, vendimi i politikës duhet të mbështetet në argumentet shkencore, të dhëna zyrtare dhe punë institucionale. Kundër kësaj, do të vazhdojmë të përballemi me tensione politike të cilat e dëmtojnë seriozisht perspektivën e konsolidimit të shtetit, dhe krijojnë shkarje të madhe profesionale, të cilat nuk mund të riparohen me dekada”, ka thënë Çela në këtë artikull dërguar mediave, të cilin po e botojmë të plotë në vijim.

Qasja joprofesionale dhe dëmtimi i shtetit

Demarkacioni me Malin e Zi, sipas ekspertëve me qasje të munguar profesionale apo me qasje shkatërruese për shtetin

Procesi për shënjimin e kufirit të Republikës së Kosovës, po vazhdon të përcillet me debate të ashpra, të cilat tashmë kanë kaluar peshën profesionale dhe ekspertizën shkencore, duke adresuar problemin tek përfaqësuesit politikë

Për mendimin tim, vendimi i politikës duhet të mbështetet në argumentet shkencore, të dhëna zyrtare dhe punë institucionale. Kundër kësaj, do të vazhdojmë të përballemi me tensione politike të cilat e dëmtojnë seriozisht perspektivën e konsolidimit të shtetit, dhe krijojnë shkarje të madhe profesionale, të cilat nuk mund të riparohen me dekada.

Gjatë dy viteve të fundit kemi dëgjuar për argumente të ndryshme, të cilat kanë treguar mungesë të qasjes pragmatike dhe respektim të metodave shkencore në vërtetimin e hipotezave të ngritura?

Edhe me datën 13/11/2017, në raportimin para Komisionit për Integrime Evropiane, dëgjuam nga “ekspertët” “argumente të munguara”, që mund të konsiderohen vetëm retorikë profesionale, që nuk vërtetojnë asgjë, në rrugën e konsolidimit të shtetit (për dallim deputetet e pranishëm treguan nivel më të lartë profesional se “ekspertët). Prandaj, është me rendësi të qartësojmë për opinionin publik, se praktika e trumbetimit të fakteve të pabazuara, krijon probleme të mëdha politike e profesionale. Po të njëjtën datë, në këtë komision dëgjuam disa risi skandaloze të “ekspertizave” nga kundërshtuesit e procesit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

E para – kontrolli efektiv mbi territorin? Në fakt përgjatë vijës kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, për kontroll efektiv të territorit mund të flasim për dy hapësira gjeografike, të cilat datojnë nga vitet e 70-ta të shekullit XX:

a) hapësira gjeografike ZHLEB (zona kadastrave Dačić) 614 ha, e cila nga aspekti administrativ i takon Republikës së Malit të Zi, por është menaxhuar nga njësia pyjore e komunës së Pejës; dhe

b) hapësira gjeografike e Pas-Haljes (Zona kadastrale Koshutan) 650 ha e cila nga aspekti administrativ i takon komunës së Pejës, ndërsa është menaxhuar nga njësia menaxhuese pyjore e Rozhajës (R. Malit të Zi).

Image

Të dy këto hapësira gjeografike për nga parimi i efektivitetit kanë qenë të menaxhuara nga institucionet respektive të dy njësive konstituive të ish-RSFJ-së. Edhe në ketë rast nëse do të kërkohet shkëmbim i këtyre dy zonave menaxhuese, Republika e Kosovës humb vetëm rreth 36 ha.

Për më shumë kjo do të krijonte precedent të rrezikshëm për pjesën veriore të Kosovës, e cila rrezikohet nga argumenti i parimit të efektivitetit, sepse të gjithë jemi në dijeni se, de fakto në këtë hapësirë gjeografike të Kosovës deri në vitin 2012 (disa prej tyre edhe sot), aktivitet efektiv, politik, ekonomik, social dhe organizativ ushtrojnë institucionet paralele të Serbisë.

E dyta – dëgjuam për mbihypje të zonave kadastrale? Për cilat zona kadastrale flitet se ka mbihipje dhe çka nënkuptohet me mbi hypje të zonave kadastrale? Kjo duhet të vërtetohet dhe argumentohet nga agjencitë kadastrale respektive, e jo nga “ekspertët” jashtë institucioneve.

E treta– dëgjuam se kufiri administrativ nuk është identik me kufirin kadastral? “….Siç u tha, ka një dallim në mes të kufirit administrativ, komunal, kadastral, e gjana të tjera …”? Unë them se, aty ku ka dallime në mes të katër niveleve të kufijve, ka vend për ndjekje penale? Sepse institucionet kompetente nuk e kanë realizuar detyrën primare të tyre. Në rastin e Kosovës kjo nuk vlen.

E katërta – pronat shtetërore nuk janë të regjistruara në sistemin kadastral, ju lutem ekspertë me qasje të munguar profesionale, cilat janë ato prona të cilat ende nuk janë të regjistruara në kadastër? Kjo problematikë përmban elemente të veprës penale, për mosrealizim të detyrës institucionale, mungesë të informacioneve të sakta, apo mund të jetë edhe prononcim i qëllimshëm për të krijuar huti tek opinioni publik.

E pesta – doli të ishte një dokument i munguar i “….delemitimit të vitit 1945, dhe e dimë që ka persona që e kanë parë atë dokumentacion….”. Shtrohet pyetja nëse këta “ekspertë” nuk kanë mundur të gjejnë dokumente të këtij niveli, a është absurde të kërkohet nga të tjerët të sigurojnë një të tillë, sepse fundja edhe nuk janë kompetentë.

E gjashta – “ekspertët” vazhduan të prezantonin harta tematike të cilat tregojnë aktivitetet e organizatave dhe institucioneve kosovare, pas vitit 2008? Tashmë është argumentuar se të gjitha organizatat shoqërore të kohës, si: Elektro-ekonomia, Ekonomia e pyjeve, Ekonomia e ujërave, Enti i Statistikave të Kosovës, Enti Gjeodezik i Kosovës, etj., aktivitetin ekonomik dhe shërbyes të tyre e kanë zhvilluar brenda hapësirës gjeografike prej 10.908 km².

E shtata – u fol edhe për kompetencat dhe protokollin e komisionit “MEHA”, pse po dëgjojmë retorik akuzuese për komisionin “MEHA”, i cili nuk e “paska përfunduar punën mirë”, atëherë pse ju “ekspertë” të nderuar nuk po argumentoni të kundërtën e asaj që ka punuar komisioni MEHA.

Nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit në mes të R. së Kosovës, por edhe asaj të Malit të Zi, jemi përballuar me prezantime të fakteve profesionale, të cilat nuk i kanë kaluar sfidat e argumentimit shkencor. Në fakt, kundërshtarët e këtij procesi, ende nuk janë konsistentë në sipërfaqen kuantitative të hapësirës gjeografike që konsiderohet e humbur, sepse, sipas tyre, kjo sipërfaqe ka lëvizur nga 150 km2 deri tek 70 km2, që përfundimisht konsiderohej se territori i Kosovës po zvogëlohet për rreth 82 km2.

Veprimet e njëpasnjëshme nga komisione të ndryshme, për të verifikuar procedurat, metodologjinë, të dhënat dhe argumentet e tjera shkencore kanë treguar se përgjatë vijës kufitare të Republikës së Kosovës, ekziston një përputhshmëri solide e fakteve duke filluar nga parcelat kadastrale, planet kadastrale, kufijtë e zonave kadastrale, hartat e ndryshme topografike dhe tematike, dokumentacioni tjetër pronësor e juridik, e deri te të dhënat shkencore e statistikore. Gjithashtu është vertetuar se në mes të vijës kufitare dhe kufirit të zonave kadastrale nuk ekzistojnë hapësira të zbrazëta (TERRA NULLIS).

Së fundmi, është ngritur dilema se Marrëveshja për Shënimin e Kufirit në mes R. së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, duhet t’i nënshtrohet edhe vlerësimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë? Edhe pse për të kaluar në ketë fazë është rrugë e gjatë dhe me plotë vështirësi politike dhe juridike, e cila mendoj se e kthen procesin në pikën më të vështirë diplomatike, që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në ketë proces mendoj se duhet të analizohen disa çështje me rëndësi, duke filluar nga:

Procedura e dërgimit të marrëveshjes në arbitrazh, e cila fillimisht kërkon që marrëveshja ekzistuese të rrëzohet në Kuvendin e R. së Kosovës (rrjedhimisht do të zhvleftësonte edhe ratifikimin nga ana e Malit të Zi). Duhet të vlerësohen pasojat politike të këtij veprimi, si dhe duhet të vlerësohet se cili mund të jetë vlerësimi final i arbitrazhit? Me një fjalë, duhet të adresohet përgjegjësia!

 Duhet të merret vendimi politik i dyanshëm për formimin e komisioneve respektove;

 Nevojitet rifillim i një procesi të ri për shënjimin e vijës kufitare në mes të dy shteteve;

 Duhet të fillohet me hartimi e parimeve të marrëveshjes, më ç‘rast përsëri do të kërkohet përcaktimi i kritereve për shënjimin e kufirit, i cili duhet të bazohet në parimet e komisionit të Badinterit dhe dokumentin gjithëpërfshirës të M. Ahtisarit;

 Duhet të bëhet delemitimi i procesit të shënjimit të vijës kufitare, e deri tek ratifikimi i marrëveshjeve në parlamentet respektive.

Pasojat e një veprimi të tillë (dërgimin e Marrëveshjes në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë), bartin me vete përgjegjësi profesionale dhe politike, duke provuar edhe një herë që rezultati final të jetë ai i cili është përcaktuar nga ana e komisioneve për shënjimin e vijës së kufirit në mes të dy shteteve (v. 2015). Kjo për faktin se procesi i shënjimit të kufirit ka kaluar të gjitha procedurat politike, juridike, profesionale e shkencore dhe ka ngecur në procedurën e ratifikimit.

Gjatë gjithë punës sime në ketë proces, nuk më ka rastisur të lexoj, ndonjë rast të vetëm ku procesi ka ngecur në procedurën e ratifikimit. Raste të kësaj natyre kanë evoluar në procesin e delemitimit, përkatësisht hartimit të marrëveshjes deri tek nënshkrimi i saj, me ç’ rast është marrë vendimi që shtetet ta dërgojnë marrëveshjen me pikat kontestuese në Gjykatën e Arbitrazhit. Kjo do të thotë se harmonizimi i marrëveshjes nga ana e dy shteteve nënkupton edhe procedurën formale të ratifikimit të saj në parlamentet respektive.

Një ngjarje e tillë është provuar me rastin e shënjimit të kufirit në mes të Republikës së Sllovenisë dhe asaj të Kroacisë, të cilat kanë vendosur që për kontestin e kufirit në mes të këtyre dy shteteve, të marrin vlerësimin e gjykatës së Arbitrazhit në Hagë. Ashtu siç është pritur, ky vendim është në favor të kufirit administrativ në mes të këtyre shteteve, dhe janë në harmoni të plotë me:

 Deklaratën e Unionit Evropian të datës 16 dhjetor 1991;

 Rekomandimet e Komisionit të Badinterit;

 Aplikimin e ligjit të UTI POSSIDETIS-it;

 Deklaratat e pavarësisë së shteteve respektove; dhe

 Një numër të konsiderueshëm të marrëveshjeve, ligjit mbi komunat administrative të ish-RSFJ-së, akteve nënligjore dhe dokumenteve të tjera të nënshkruara nga të dy palët e që datojnë nga viti 1932 e këndej.

Vendimi i Arbitrazhit për rastin e kufirit kontestues në mes të R. Së Sllovenisë dhe asaj të Kroacisë, është shembull i mirë për të garantuar tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës për periudhën 1974-2017. Në këtë vendim (Hagë 29 qershore 2017), thuhet qartësisht se palët me marrëveshje kanë rënë dakord që kufiri të përcaktohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, Tribunali është i detyruar të vendosë çështjen bazuar në ligje, dhe jo nga perspektiva historike, politike apo sociologjike. Në mënyrë të veçantë, Tribunali thekson se si Kroacia dhe Sllovenia kanë miratuar zbatimin e parimit Uti possidetis në përcaktimin e kufijve të tyre. Prandaj, kufijtë e mëparshëm të dy republikave në kuadër të ish-RSFJ-së, siç ishin në datën e pavarësisë më 25 qershor 1991, tani janë kufij ndërkombëtarë ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Sllovenisë (Arbitration between the Republic of Croatia and the Republic of Slovenia, The Hague, 29 June 2017, Tribunal Determines Land and maritime Boundaries in Final Aëard, Page 3). Kjo është në pajtim të plotë me parimet e Komisionit të Badinterit.

Qasja praktike e Tribunalit është e bazuar në parimet themelore të marrëveshjes në mes të palëve, të cilat janë pajtuar se kufijtë kadastralë përfaqësojnë kufirin e republikave respektive. Kjo qasje është në përputhje të plotë me faktin se sipas ligjit të zbatueshëm komunal të ish-RSFJ-së, kufijtë kadastralë duhej të përputheshin me kufijtë e republikave.