Demarkacioni-710x441-1

Bulliqi e Salihaj thonë se nuk zgjidhet problemi i demarkacionit me matje të territorit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përvec opozitës nuk po arrin të bind as një pjesë të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me propozimin e tij për formimin e një komisioni, i cili do të maste territorin e vendit.

Periskopi.com Lajme

Të kontaktuar nga ‘Indeksonline’, deputetët Shpejtim Bulliqi e Adem Salihaj thonë se nuk mund të matet territori për sa kohë qe nuk është bërë shënjimi i vijues kufitare me shtetin malazez dhe atë serb.

Madje, Bulliqi thotë se kjo tentative e Mustafës është vetëm për opinionin publik dhe jo si iniciative qe mund t’i japë epilog këtij procesi.

“Unë se kam të qartë se çfarë territori duhet me matë kur ne nuk i kemi vijën kufitare as me Malin e zi dhe as Serbinë dhe nuk i dimë cilin territor duhet me matë. Ne e dimë territorin e Kosovës, por pikat kufitare ende nuk janë caktuar me këto dy shtete. Puna e parë është të mbyllët çështja e kufirit edhe demarkimit edhe me Malin e Zi dhe Serbinë dhe pastaj ta masim territorin e Kosovës”, ka thënë Bulliqi për ‘Indeksonline’.

Ai e ka vlerësuar si jo fort serioze këtë çështje.

Në këtë linjë është edhe deputeti tjetër i LDK-së, Adem Salihaj. Problemi, sipas tij, nuk është matja e territorit të Kosovës, por vija kufitare me Malin e Zi.

“Ne kemi një paqartësi se ku është saktësisht kjo vijë kufitare. Me matjen e territorit nuk do të mund të zgjidhet ky problem kaq serioz. Territorin e Kosovës duhet ta matim vetëm kur t’i kemi kufijtë të përcaktuar qartë”, ka thënë Salihaj për ‘Indeksonline’.

Nuk është mirë, sipas tij, të luftojmë që vija e kufirit të jetë aty ku pretendon Mali i Zi, por aty ku pretendon pala kosovare.

“Nuk duhet të përsëritet në Kosovë ajo që po ndodh me kufirin në mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku një pjesë e shqiptarëve po ia mbajnë anën Greqisë, në dëm të territorit shqiptar”, ka shtuar ai.

Ndryshe, një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, kryeministrit ka propozuar formimin e një komisioni i cili do të maste territorin e vendit, për t’i shuar dilemat lidhur rreth demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka ftuar edhe partitë opozitare qe të jenë pjesë e këtij komisioni. Por, ky propozim nuk është mbështetur nga partitë opozitare dhe një pjesë e njohësve të çështjeve politike./Indeksonline/Leotrim Berisha/