Biznesmeni Erolld Belegu eksitohet me sukseset e Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Biznesmeni dhe këshilltari për Ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, Erolld Belegu paralajmëron se në Kosovë do të bëhet mirë, teksa ai ka përmendur një varg çështjesh për të cilat pretendon se janë sukses i Qeverisë Haradinaj, shkruan Periskopi.

Përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”, Belegu shkruan:

“Amerika po na don, Mali i Zi po, BE po thote byjrum, Gjermania erdh me na uru pavaresin dhe me na tregu qe Serbia pa Kosove ska ka shkon…Termocentrali i ri po ndertohet, KEK po punon me 100% te kapaciteteve,ligji per sponsorizim eshte ne aplikim…as 5 muaj….mire ka mu bo🇽🇰❤️”, transmeton Periskopi.

Kosova është në prag të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ky përvjetor po konsiderohet si i zymtë, për shkak të situatës aktuale në të cilën ndodhet Kosova, si pasojë e keqqeverisjes.

Ndër më të diskutueshmet në këtë 10 vjetor kanë qenë përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nismë e ndërmarrur nga deputetët – përkrahur nga liderët shtetëror: kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli e presidenti Hashim Thaçi.

Kjo nismë rrezikoi raportet e Kosovës si asnjëherë më parë që nga pas lufta, siç u tha edhe nga vetë përfaqësuesit e shteteve mike në Kosovë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sa i përket raporteve me Malin e Zi, Kosova ende nuk ka arritur të ratifikojë në Kuvend marrëveshjen e shënjimit të vijës kufitare me vendin fqinjë.

Në vizitën e sotme, kryeministri Dushko Markoviq, tha se për Malin e Zi çështja e Demarkacionit është e mbyllur.

Ndërsa, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjatë vizitës së sotme ia përmenden kryeministrit Haradinaj kushtet e paplotësuara nga Kosova për liberalizim vizash, ku përveç Demarkacionit, përmendet edhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Ratifikimin e Demarkacionit e kërkoi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i cili gjatë vizitës së sotme në Kosovë tha se qytetarët nuk duhet të vazhdojnë të mbesin të izoluar. Ai përcolli edhe mesazhin se Gjermania  është kundër përpjekjeve për shfuqizimin e Speciales, pasi Kosova duhet t’i përmbush detyrimet ndërkombëtare.

E diskutueshme gjatë se është e dëmshme për Kosovën ka qenë edhe marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova A”, me kompaninë amerikane “Countur Global”, nënshkruar nga Qeveria Haradinaj, pjesë e së cilës është edhe vetë Belegu.

Punëtorët e KEK’ut vazhdojnë të jenë të pakënaqur me mosmbajtjen e premtimeve të kryeministrit Haradinaj e kryeparlamentarit Kadri Veseli, se pagat e tyre do të rriten nga 100 euro. Derisa presin rritje pagash, ata vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira./Periskopi