Bajrami – Mustafës: Qyqarë, serbët vendosin në Kosovë

Kryeminisrti Isa Mustafa ka treguar qyqarllëkun e tij me deklaratën në lidhje me shkarkimin e Ljubomir Mariqit,  dhe njëherësh ka pranuar se ministrat e Listës Serbe janë më të fuqishëm se vet kryeministri.

Kushtrim Hajzeri Lajme

 

Kështu ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, në një intervistë për Periskopin.

Bajrami ka potencuar se Asociacioni i Komuna Serbe në Kosovë  është shkelje e Kushtetutës së vendit dhe nëse koalicioni qeverisës tenton që këtë marrëvjesha ta sjell në Kuvend, atëherë do të jenë përgjegjëse për zhvillimet që mund të pasojnë pas saj.

Ajo, ka theksuar se tema e korrupsionit nuk është diskutuar në Kuvend,  pasi Qeveria ka sjell marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe atë të Asociacit, derisa ka shtuar se këto dy marrëveshje janë të dëmshme dhe të rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Duke folur për murin mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë, Bajrami ka thënë se nëse bazohemi nga e kaluara se si janë zgjidhur problemet që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, atëherë e ardhmja duket e zymtë, sepse zakonisht këto problem qeveritë e Kosovës i kanë ‘zgjidhur’ përmes legalizimeve të veprimeve të serbëve.

Intervista e plotë:

Ku dështoi Qeveria gjatë këtij viti dhe cili ishte suksesi më i madh?

Do të kisha qenë shumë e lumtur sikur të kishte pasur ndonjë sukses kjo qeveri, sepse ne këtu po jetojmë dhe sukseset e kësaj qeverie do të ishin edhe sukses të Kosovës. Mirëpo, fatkeqësisht nuk mund ta theksojmë asnjë veprim të saj që do të mund të vlerësohej si sukses. Përkundrazi, në vend të sukseseve kemi degradim të gjendjes. Kjo qeveri, në vend të sukseseve, vendit i solli vetëm dëme, i solli marrëveshje të dëmshme sikur janë ajo e demarkacionit dhe asociacionit dhe në fund edhe ndarjen faktike të Kosovës përmes murit në Mitrovicë. Gjithashtu në planin e brendshëm, degradim të gjendjes së arsimit, të shëndetësisë dhe gjithashtu zhvillimi ekonomik është në gjendje shumë më të keqe se që ka qenë vitet paraprake.

Si e komentoni ultimatumin e Gjuriqit dhënë insitucioneve Kosovare që deri më 15 shkurt të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe ose në të kundërtën serbët do ta themelojnë vetë?

Gjuriqi dhe të gjithë të tjerët që flasin rreth çështjeve të brendshme të Kosovës kanë marrë hov sepse kjo qeveri që nga fillimi i formimit të saj ka qenë e pa vendosur kundrejt politikave kundër shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka dy alternative para saj, ose duhet t’i ndal të gjitha këto provokime të bëra nga zyrtarët serb ose të japë dorëheqje. Përndryshe dëmet afatgjata të Kosovës do të jenë edhe më të mëdha.

A mendoni që koalicioni qeverisës do të insistojë që të themelohet ky asociacion në fillim të vitit të ardhshëm?

Çdo insistim për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe të tillë sikur e ka nënshkruar kryeministri Mustafa me Vuçiçin do të përbënte sulm të pa presedan mbi rendin kushtetues në Kosovë. Gjykata Kushtetuese e ka thënë verdiktin e saj, ajo marrëveshje është në kundërshtim me kushtetutën. Nëse kjo qeveri nuk e respekton këtë vendim atëherë ajo do të jetë përgjegjëse për zhvillimet që mund të pasojnë pas saj.

Një ndër kushtet që BE-ja ka vënë për liberalizim të vizave është edhe luftimi i    korrupsionit, por që në karahasim me demarkacionin dhe Asociacionin kjo temë në Kuvend është diskutuar më pak. Pse po ndodh kjo?

Po keni të drejtë, arsyeja ka qenë se  kjo qeveri ka sjellë në kuvend dy marrëveshje shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për të tashmen dhe të  ardhmen e vendit siç janë ajo  për demarkacionin dhe asociacionin. Prandaj, temat sikur është lufta kundër korrupsioni  endemik siç përshkruajnë raportet ndërkombëtare,  mungesa e zhvillimit ekonomik, shëndetësia dhe arsimi dolën në plan të dytë. Por jo me dëshirën e opozitës por me këmbëngulësinë e pushtetit për të miratuar këto dy marrëveshje. Ne nuk kemi mundur që të heshtim përballë rreziqeve që këto dy marrëveshje i sillnin vendit.

Si e komentoni deklaratën e kryeministrit që nëse Mariqi do të ishte shqiptar do ta shkarkonte shumë më herët?

Kjo tregon qyqarllëkun e tij, atë që ai vazhdimisht e ka mohuar më në fund e pranoi, se  ministrat e listës serbe janë më të fuqishëm se vet kryeministri.

Ju keni thënë se deputetët e PDK-së e të LDK-së, gjatë gjithë koalicionit, më shumë janë duke e akuzuar njëra tjetrën sesa duke u marr me çështje tjera të rëndësishme. A mendoni që këto akuza janë të sinqerta?

Përderisa edhe i kam thënë këto deklarata në mënyrë publike, besoni janë të sinqerta, shembujt më të mirë i kemi seancat e kuvendit dhe komisionet, ku problemet më të mëdha i kanë në mes vete deputetët e koalicionit qeverisës.

Si mendoni që do të jetë përfundimi i çështjes së murit mbi lumin “Ibër” në Mitrovicë?

Nëse bazohemi nga e kaluara se si janë zgjidhur problemet që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, atëherë e ardhmja duket e zymtë, sepse zakonisht këto problem qeveritë e Kosovës i kanë “zgjidhur” përmes legalizimeve të veprimeve të serbëve. Shembuj kemi sa të doni, energjetika, sistemi i drejtësisë, dogana, telefonia mobile etj. Mirëpo shpresoj shumë që koha kur ata kanë bërë çka kanë dashur dhe si kanë dashur përfundimisht ka marrë fund dhe ky mur do të rrënohet.