hilmi

Avokati i Popullit me raport për promovimin e barazisë në komuna

Avokati i Popullit u ka përcjellë kryetarëve të Komunave Prishtinë, Gjilan, Viti, Ferizaj, Lipjan, Klinë, Rahovec, Novobërdë dhe Obiliq, Raportin Ex Officio lidhur me mos respektimin e procedurave ligjore gjatë procesit të rekrutimit te personelit, sipas konkurseve të shpallura nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në Republikën e Kosovës.

Periskopi.com Lajme

Qëllimi i këtij raporti është promovimi i barazisë, si dhe tërheqja e vëmendjes së Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) në Republikën e Kosovës, lidhur me nevojën e ndërmarrjes së veprimeve përkatëse për zbatimin e ligjit dhe respektimin e procedurave ligjore të rekrutimit, transmeton Koha.net.

Avokati i Popullit ka analizuar dokumentacionet dhe konkurset e shpallura nga DKA-të në 19 komuna të Republikës së Kosovës dhe ka vërejtur se gjatë hartimit të konkurseve, në të kaluarën dhe tani, janë parashtruar kritere të cilat kanë qenë në kundërshtim me ligjin, duke pamundësuar trajtimin e barabartë.

Bazuar në konkurset e analizuara, Avokati i Popullit ka vërejtur se DKA-të e komunave të cekura në Raport, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që konkurset e shpallura të jenë në harmoni me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe të kujdesen që t’i përgjigjen detyrimit të përcaktuar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili në nenin 4, paragrafin 2, shprehimisht përcakton se: “Të gjitha organet e komunës kujdesen që qytetarët e komunës t’i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë […] me qëllim që ata të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta në shërbimet komunale të të gjitha niveleve.”.

Avokati i Popullit vëren se sipas vendimeve gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), “e drejta për të mos u diskriminuar shkelet kur Shtetet trajtojnë në mënyrë jo të barabartë persona në situata të ngjashme pa dhënë një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm”.

Në bazë të të gjitha dëshmive të paraqitura dhe fakteve të mbledhura, në pajtim me legjislacionin përkatës, Avokati i Popullit ka theksuar shkeljet në konkurset e shpallura dhe ka konstatuar se ka pasur shkelje të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me që zyrtarët përgjegjës të DKA-ve në komunën e Prishtinës, Gjilanit, Vitisë, Ferizajt, Lipjanit, Klinës, Rahovecit, Novobërdës dhe Obiliqit, kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në përmbyllje të Raportit, Avokati i Popullit e konsideron të domosdoshme që këto praktika të mos përsëriten në të ardhmen, në mënyrë që të gjitha veprimet e organeve komunale të jenë në harmoni me dispozitat ligjore dhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Duke u nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të autoriteteve, Avokati i Popullit u ka nisur rekomandimet relevante komunave gjegjëse:Komuna e Prishtinës të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të siguroj të drejtën e garantuar Kushtetuese të kandidatëve që secili person është i lirë të zgjedhë vendin e punës.

Komunat Gjilan dhe Viti, të ndërmarrin të gjitha masat që t’u jepet fund rasteve të tilla të trajtimit të pabarabartë dhe të sigurohet që të gjithë kandidatët të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për punësim në institucionet e arsimit, pa marrë parasysh vendin ku jetojnë apo ku kanë lindur.

Komunat Prishtinë, Viti, Ferizaj dhe Rahovec të sigurojnë që komisioni për përzgjedhjen e mësimdhënësve të formohet në përputhje me ligjin.

Komunat Ferizaj, Lipjan dhe Klinë, të garantojnë të drejtën e çdo kandidati për të aplikuar në të gjitha vendet e punës pa kufizime të mëtejme.

Komunat Viti, Novobërdë dhe Obiliq, të ndërmarrin të gjitha masat që në të ardhmen hartimi i konkurseve të bëhet në mbështetje të akteve ligjore të cilat janë fuqi.