Artistët aziatikë çelin edicionin e tetë të Simpoziumit të Skulpturave në Korçë

Periskopi.com Kulturë

I organizuar për disa vjet me radhë nga Bashkia e Korçës, ky simpozium i ka sjellë qytetit deri më sot rreth 50 skulptura nga artistët e vendeve të ndryshme të Europës dhe të botës. Këto skulptura janë vendosur në parkun e qytetit.

Artistë nga Azia kanë çelur Simpoziumin e Skulpturave në Korçë. Kuratori i këtij aktiviteti skulptori i njohur Genti Tavanxhiu pohon se në vitin e tetë është edicioni aziatik. Por e veçanta e këtij aktiviteti në qytetin e Korçës sipas kuratorit është se këtë vit për herë të parë në historinë e Shqipërisë po organizohet edhe Simpoziumi i parë i Arkitekturës në Korçë. Sipas tij, ky aktivitet ka bërë arkitektët dhe skulptorët për një produkt unik artistik.

“Ky është edicioni i tetë, që zhvillohet në qytetin e Korçës dhe vjen i veçantë sepse është edicioni aziatik. Nga Azia e largët ka ardhur një artisti kinez, dy japonez, një tajvanez dhe një nga Koreja e Jugut. Për herë të parë në Shqipëri dhe në të gjithë botën, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë deri tani ne kemi në Korçë një simpozium të skulpturës dhe arkitekturës. Janë ftuar dhe 4 arkitektë, që do të bashkëpunojnë me skulptorët për të ndërtuar disa pavilione, që do të vendosen për herë të parë në Korçë”, bën me dije skulptori dhe kuratori Genti Tavanxhiu.

Prej vitesh, që është zhvilluar në qytetin e Korçës ky aktivitet ka sjellë artistë të ndryshëm, të cilët me veprat e tyre janë mirëpritur dhe nga publiku. E reja e këtij viti skulptura dhe arkitektura kanë bërë bashkë artistët e njohur, që vijnë nga vende të ndryshme të botës dhe simpoziumi ka si kuratorë arkitektin Jurtin Hajro dhe artistin skulptor Genti Tavanxhiu. Ky i fundit prej vitesh në qytetin e Korçës me këtë aktivitet ka marrë vlerësime. “Në edicionin aziatik nuk kemi skulptorë shqiptarë, sepse janë nga Azia e largët pjesëmarrësit, ndërsa me arkitekturë kemi një arkitekt shqiptar, një hollandez, një arkitekte italiane dhe një turk”, vijon të pohojë më tej kuratori Tavanxhi për Sotnews.

Korçës, ky simpozium i ka sjellë qytetit deri më sot rreth 50 skulptura nga artistët e vendeve të ndryshme të Europës dhe të botës. Këto skulptura janë vendosur në parkun e qytetit.

“Veprat e skulpturës në çdo vit janë prezantuar në parkun Rinia, që kemi vendosur shumicën e skulpturave që janë realizuar në edicionet e tjera. Disa nga këto skulptura janë të vënë edhe në qendër të qytetit apo në parqe të tjera, por pjesa më e madhe janë te platforma e parkut Rinia”, vijon të tregojë skulptori i njohur Genti Tavanxhiu.

Sipas artistit për të mbërritur te edicioni i këtij viti nuk kanë qenë të pakta dhe vështirësitë. “Me shumë sakrifica ne kemi arritur në edicionin e tetë të Simpoziumit të Skulpturës dhe Arkitekturës këtë vit. Mos kujtoni se është e lehtë, por është shumë e vështirë për ta realizuar këtë simpozium. Duhet të kemi një sërë institucionesh që të ndërhyjnë dhe me burimet financiare, sepse ka kosto të lartë dhe me shumë vështirësi kemi arritur në edicionin e tetë”, pohon kuratori Tavanxhiu.

Ky simpozium, i cili prej vitesh zhvillohet në qytetin e Korçës me veprat e artit ka sjellë jo pak kureshtje për qytetarët, që i shikojnë punët e artistëve në park. Por sipas kuratorit Genti Tavanxhiu shpresa është, që të krijohet dhe një muze sipas standardeve të kohës. “Ne shpresojmë që ta vazhdojmë simpoziumin për një numër të konsideruar veprash dhe për të krijuar një muze, pasi numri që kemi deri tani i skulpturave është diku te 52. Por për një koleksion në Europë me numra duhet të shkojmë te 150. Ne jemi akoma në një të tretën e fazës. Shpresoj që me kalimin e viteve të plotësohet numri edhe pse me shumë sakrifica të jetë një muze me standardet kontemporane në Korçë”, shprehet mes të tjerave Tavanxhiu.

Në aktivitetin e tij personal skulptori është ndër emrat që gjatë kësaj kohe është vlerësuar në shtete të ndryshme. Simpoziumi i parë duke bashkuar arkitektët dhe skulptorët për një produkt unik artistik do të zhvillohet deri më datë 22 korrik. Aktiviteti është mbështetur nga Bashkia e Korçës, Ministria e Kulturës dhe Ambasada Hollandeze në vendin tonë. / KultPlus.com