“Arsyeja është e panegociueshme”: Steven Pinker mbi iluminizmin

Steven Pinker Opinione

Çka është iluminizmi? Në një ese të vitit 1784 me këtë pyetje si titull, Imanuel Kanti përgjigjet se ajo konsiston në “daljen e njerëzimit nga pamaturia e vetëshkaktuar”, nga “nënshtrimi i llastuar dhe frikacak ndaj “dogmave dhe formulave” të autoriteteve politike e religjioze. Motoja e Iluminizmit, të cilën e proklamoi ai, është: “Guxo të kuptosh!” dhe përpjekja e tij themelore është liria e mendimit dhe e shprehjes.

Çka është iluminizmi? Nuk ka një përgjigjje zyrtare, sepse periudha e emëruar nga eseu i Kantit nuk ishte shenjuar asnjëherë me një fillim dhe një mbyllje ceremoniale si në Olimpiadë, e nuk janë as parimet e saj të shprehura nën betim apo me ndonjë dekret. Iluminizmi vendoset konvencionalisht në dy të tretat e shekullit të 18, megjithëse rrodhi nga Revolucioni shkencor dhe Epoka e Arsyes në shekullin e 17, dhe u derdh në kulmin e liberalizmit klasik në gjysmën e parë të shekullit të 19. I provokuar nga sfidat që i bëheshin dijes konvencionale nga shkenca dhe eksplorimi, më tej nga ndërgjegjësimi për gjakderdhjet e luftimeve për religjionin, dhe i mbështetur nga lëvizja e lehtë e ideve dhe njerëzve, mendimtarët e Iluminizmit kërkuan një kuptueshmëri të re të gjendjes njerëzore. Periudha prodhoi ide me bollëk, disa prej tyre kontradiktore, por ishin katër tema që i lidhnin me njëra tjetrën: arsyeja, shkenca, humanizmi dhe progresi.

Kryesorja është arsyeja. Arsyeja është e panegociueshme. Për aq sa doni të diskutoni pyetjet në atë çfarë ne duhet të besojmë [ose çfarëdo pyetje tjetër], për aq gjatë sa ngulmoni që përgjigjjet tuaja, çfarëdo qofshin, janë të arsyeshme e të justifikueshme ose të vërteta dhe që prandaj edhe të tjerët duhet të besojnë në to poashtu, atëherë ju e keni angazhuar veten për arsyen, për mbajtjen e besimeve tuaja brenda standardeve objektive.

Nëse kishte diçka të përbashkët mes mendimtarëve të Iluminizmit, ishte ngulmimi që t’i aplikonim standardet e arsyes për të kuptuar botën tonë, dhe të mos binim pre e gjeneruesve të deluzionit si feja, dogma, zbulimi, autoriteti, karizma, misticizmi, hyjnizimi, vizionet apo analizimi hermeneutik i teksteve të shenjta.

Shumë shkrimtarë sot e ngatërrojnë përqafimin që i bën Iluminizmi arsyes me pretendimin e papranueshëm që thotë se njerëzit janë agjentë të përsosur racionalë. Asgjë nuk mund të shkëputet nga realiteti historik. Mendimtarët si Kanti, Baruch Spinoza, Thomas Hobbesi, David Humei e Adam Smithi ishin psikologjistë kurreshtarë dhe shumë të ndërgjegjshëm për pasionet dhe dobësitë tona irracionale. Ata insistonin që vetëm duke i kuptuar burimet e përbashkëta të marrëzisë, mund të arrinim që t’i tejkalonim ato. Përdorimi i matur i arsyes ishte i nevojshëm pikërisht sepse shprehitë tona të të menduarit nuk janë të arsyeshme.

Kjo çon në idealin e dytë, shkencën, ku rafinohet arsyeja për të kuptuar botën. Një përpjekje e tillë përfshin të kuptuarit e vetvetes. Revolucioni shkencor ishte revolucionar në një mënyrë që është e zorshme ta vlerësosh sot, sepse zbulimet e saj janë bërë si natyrë e dytë për ne.

Nevoja për një “shkencë mbi njeriun” ishte një tematikë që u lidh bashkë me mendimtarët e Iluminizmit që nuk pajtoheshin në shumçka, përfshirë Montesquieu-në, Hume-in, Smith-in, Kant-in, Condorcet-në, Diderot-në, d’Alambert-in, Rousseau-në dhe Vico-n. Besimi i tyre se kishte një gjë të tillë si natyra univerzale njerëzore, dhe që kjo duhej studiuar në mënyrë shkencore, i bëri ata praktikues të parakohshëm të shkencës që do të merrte emër vetëm disa shekuj më vonë. Ata ishin neuroshkenctarë kognitivë, që u përpoqën të shpjegonin mendimin, emocionin dhe psikopatologjinë në termet e mekanizmave fizike të trurit. Ishin psikologjistë evolucionarë, që u munduan të tipizonin jetën në gjendjen e natyrës dhe të identifikonin instinktet kafshërore që janë të ‘ndryera në gjirin tonë”. Ata ishin poashtu psikologjistë socialë, që shkruajtën për sentimentet morale që na mbanin bashkë, për pasionet vetjake që na ndajnë dhe dobësitë e shkurtpamësisë që i ngatërrojnë planet që i kemi përcaktuar. Dhe ata ishin antropologë kulturorë, që i minuan llogaritë e udhëtarëve dhe eksploratorëve për të dhënat e tyre mbi universalen njerëzore dhe në diversitetin e traditave nëpër kulturat e botës.

Ideja e natyrës univerzale njerëzore na sjell në temën e tretë, humanizmin. Mendimtarët e Periudhës së Arsyes dhe të Iluminizmit e panë një nevojë urgjente për një themel sekular të moralitetit, sepse ishin të ndjekur nga memorja historike për shekuj të tërë nga kërditë religjioze: Kryqëzatat, Inkuizicioni, gjuetia e shtrigave, luftërat evropjane për religjion.

Ata e vendosën një themel në atë që sot e quajmë humanizëm, e cila e privilegjon mirëqenien e burrave, grave e fëmijëve mbi lavdinë e fisit, racës, kombit apo religjionit. Janë individët, dhe jo grupet, që janë sentient, ose të ndjeshëm – që ndijnë kënaqësi e dhimbje, përmbushje e ankth. Nëse është e përshtatur si qëllim i të ofruarit të lumturisë më të madhe për numrin më të madh të njerëzve ose si një impreativ kategorik mbi mënyrën e trajtimit të njerëzve si qëllime e jo si mjete, ishte kapaciteti univerzal i personit për të vuajtur dhe lulëzuar, thanë ata, që i bënte thirrje sensit tonë moral.

Për fat të mirë, natyra njerëzore n’a përgatit neve për atë thirrje. Kjo është sepse ne jemi të pajisur me ndjesinë e simpatisë, të cilën ata e quajtën ndryshe si, dashamirësi, keqardhje dhe përdëllim. Duke marrë që ne kemi aftësinë për të simpatizuar të tjerët, asgjë nuk mund të ndalë qarkun e simpatisë nga zgjerimi prej familjes dhe fisi te përqafimi i gjithë njerëzimit, siç n’a nxit arsyeja të kuptojmë që nuk mund të ketë asgjë meritore brenda nesh ose brenda pjestarëve të grupit të cilit i përkasim. Jemi të detyruar të hyjmë në kozmopolitanizëm: duke pranuar qytetarinë në botë.

Sensibiliteti humanistik shtyri mendimtarët e iluminizmit që të dënojnë jo vetëm dhunën religjioze por poashtu mizoritë sekulare të epokës së tyre, përfshirë skllavërinë, despotizmin, ekzekutimet për kriminalitete të lehta siç ishte vjedhja. Iluminizmi është quajtur ndonjëherë si Revolucioni humamitar, sepse çoi në heqjen e praktikave barbare të cilat kanë qenë të zakonshme në civilizimin tonë përgjatë gjithë mileniumit.

Nëse heqja e skllavërisë dhe e dënimeve mizore nuk është progres, atëherë asgjë nuk është, gjë që na çon në idealin e katërt të idealeve Iluministe. Me të kuptuarit tonë të botës që është avancuar me anë të shkencës dhe të qarkut tonë të simpatisë të zgjeruar përmes arsyes dhe kozmopolitanizmit, njerëzimi mund të bëj progres intelektual dhe moral. Nuk duhet të mbërthehet në mizoritë dhe iracionalitetet e së tashmes, dhe jo të kthejë kohën pas te ajo që ndonjëherë quhet periudha e artë.

Ideali i progresit poashtu nuk duhet të ngatërrohet me lëvizjen e shekullit të 20 që mësynte të ri-ndërtonte shoqërinë për komoditetin e teknokratëve dhe planifikuesve, të cilën politologu James Scott e quan Modernizmi i Lartë Autoritar. Lëvizjamohoi ekzistencën e natyrës njerëzore, me nevojën e tyre të rrëmujshme për bukuri, natyrë, traditë dhe intimitet social. Duke filluar nga “mbulesa e pastër e tavolinës”, modernistët përcaktuan projekte të reja që zëvendësonin lagjet e zhurmshme me arkitekturë brutaliste.

“Njerëzimi do të rilindet,” teoretizuan ata, dhe “do të jetojë në një relacion të renduar me tërësinë.” Megjithëse këto zhvillime ndonjëherë ishin lidhur me fjalën progres, përdorimi në fakt ishte ironik: “progresi” i paudhëhequr nga humanizmi nuk është progres.

Në vend se të provojë formësimin e natyrës njerëzore, Iluminizmi shpresoi që progresi të koncentrohej në institucionet humane. Sistemet e bëra nga njeriu si qeveritë, ligjet, shkollat, tregjet dhe trupat ndërkombëtarë janë një target i natyrshëm për aplikimin e arsyes për përmirësimin e njeriut.

Në këtë mënyrë të të menduarit, qeveria nuk është një urdhëresë hyjnore për sundim, një sinonim për ‘shoqërinë’, ose një avatar i kombëtares, religjiozes dhe i shpirtit të racës. Është një shpikje njerëzore, heshturazi e pranuar në një kontratë sociale, e përcaktuar për të rritur mirëqenien e qytetarëve përmes koordinimit të sjelljeve të tyre dhe diskurajimit të akteve vetjake që mund të jenë tunduese për secilin individ por që e lënë secilin në pozicion të keq. Si produkti më i famshëm i Iluminizmit, Deklarata e Pavarësisë së ShBA-ve, thotë se, në mënyrë që të sigurohet e drejta për të jetuar, liria dhe kërkesa për lumturi, qeveritë janë institucione mes njerëzve, që përdorin pushtetin e drejtë me pëlqimin e të qeverisurve.

Iluminizmi gjithashtu pa analizën e parë racionale të prosperitetit. Pika e saj fillestare nuk ishte sesi të distribuohej pasuria por pyetja fillestare ishte sesi pasuria vjen në ekzistencë. Veprat që koncentrohen vetëm te tregu që lejon specialistët të shkëmbejnë të mirat dhe shërbimet e tyre dhe Smithi shpjegoi që aktiviteti ekonomik ishte një formë e një bashkëpunimi të përbashkët përfitues: secili merr diçka e cila ka më shumë vlerë për të sesa nga ajo prej të cilës ai heq dorë. Përmes shkëmbimit të vullnetshëm, njerëzit përfitojnë nga të tjerët; siç shkroi ai: “Nuk është nga dashamirësia e një kasapi, apo e një furrtari që ne e presim darkën tonë, por nga nevoja e këtyre për të përmbushur interesin e tyre vetjak. Ne i drejtohemi vetes, jo njerëzillëkut të tyre por dashurisë së tyre për veten.” Smithi nuk po thoshte që njerëzit janë pamëshirshëm vetjakë, ose që duhej të ishin; ai ishte një prej komentuesve më të mprehtë në histori mbi simpatinë njerëzore. Ai vetëm thoshte që në treg, çfarëdo tendencash që njerëzit kanë për t’u kujdesur për veten dhe familjet e tyre – puna e tyre i shërben të mirës së përgjithshme.

Shkëmbimi mund ta bëj gjithë shoqërinë jo vetëm më të pasur, por edhe më të mirë, sepse në një treg efektiv, është më lirë të blesh gjëra sesa të vjedhësh nga njerëzit e tjerë – dhe se njerëzit e tjerë kanë më shumë vlerë duke qenë gjallë se si të vdekur. Shumë mendimtarë të Iluminizmit, përfshirë Mondesquie-në, Kantin, Voltaire-in, Diderot-në, dhe Saint-Pierre-in, miratuan idealin e tregtisë gjentile. Etërit amerikanë – George Washington, James Madison, dhe veçanërisht Alexander Hamilton – përcaktuan institucionet e kombit të ri mbi këto vlera.

Kjo n’a çon neve në një ideal të ri të Iluminizmit, te paqja. Lufta ishte aq e zakonshme në histori, sa ishte e natyrshme të shihje atë si një gjendje permanente të gjendjes njerëzore dhe të mendoje se paqja do të vinte vetëm në epokën mesianike. Por tash lufta nuk mendohet më si një ndëshkim hyjnor që të durohet e vajtohet, ose si një kontest i lavdishëm që të fitohet e festohet, por si një problem praktik që zbutet dhe zgjidhet. Në Paqen e Përjetshme, Kanti i vendosi masat që do të diskurajonin liderët nga zvarritja e kombeve të tyre drejt luftës. Së bashku me tregtinë ndërkombëtare, ai rekomandoi një republikë reprezentative [të cilën do ta quanim demokraci], transparencë e përbashkët, norma kundër pushtimit dhe ndërhyrjeve të brendshme, lirisë së udhëtimit, dhe emigrimit dhe të një federate shtetesh që do të gjykonte mospajtimet mes tyre.

Mendimtarët iluministë ishin burra e gra të kohës së tyre, të shekullit të 18. Disa ishin racistë, seksistë, antisemit, skllavopronarë, ose duelistë. Disa prej pyetjeve që i brendosën ata janë thuaj të pakrahasueshme me kohën tonë, dhe ata shkruan gjëra shumë të marra por poashtu edhe briljante. Për më shumë duhet thënë që ata ishin lindur tepër herët për të vlerësuar disa prej gurëve themeltar të të kuptuarit tonë të realitetit, përfshirë entropinë, evolucionin dhe informacionin.

Ata do të ishin të parët që do ta pranonin një gjë të tillë. Nëse e lartësoni arsyen, atëherë ajo që vlen është integriteti i mendimeve tuaja, jo personalitetet e mendimtarëve. Dhe nëse jeni të dedikuar për progres, nuk mund të pretendoni që ai të jetë krejtësisht i qartë për ju. Nuk merr asnjë kredit nga mendimtarët iluministë që të identifikoni disa prej ideve kritike rreth gjendjes njerëzore dhe natyrës së progresit që ne i dimë dhe ata jo.

Përktheu: Periskopi | Guardian