s

Arrestohet shqiptari më i rrezikshëm në Evropë

I konsideruar si shqiptari më i rrezikshëm në Europë, ai që futi për herë të parë në BE heroinën e talebanëve nga Afganistani dhe “kokainën rozë” nga Bolivia, është vënë në pranga në afërsi të Vjenës, në Austri, raporton “Panorama”.

Periskopi.com Lajme

Arrestimi është bërë nga forcat speciale austriake për llogari të drejtësisë italiane, që e ka dënuar atë me 12 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Madje mediat italiane shkojnë edhe më tej, duke shkruar se shqiptari ka lidhje edhe me anëtarë të organizatës terroriste “Al Kaeda”. Bëhet fjalë për Blenard Fejzulla, nga Fieri, që edhe për drejtësinë shqiptare nuk është një emër i panjohur.  Madje ai ka vuajtur në Shqipëri 6 vite burgim, si pjesë e grupit VIP të drogës, të quajtur “Kompas”, pjesë e të cilit ishte edhe Arjan Selimi, ish-bashkëshorti i Inis Gjonit, i vrarë në një atentat rreth 5 vjet më parë.

Fejzulla u arrestua disa muaj më parë në Tiranë e megjithatë Gjykata nuk lejoi ekstradimin e tij drejt Italisë. Duket se atë që nuk e bëri drejtësia shqiptare, vendosën ta bëjnë forcat speciale të Austrisë, që e mbanin nën vëzhgim që prej muajit mars. Tri ditë më parë, në veri të Vjenës, në Korneuburg, Policia austriake ka prangosur 40-vjeçarin nga Fieri, që u kishte shpëtuar me dhjetëra herë.

ARRESTIMI

“Trafikanti shqiptar i drogës, i dënuar me 12 vjet burg, arrestohet në Austri”. Ky ishte titulli kryesor i disa prej mediave italiane ditën e djeshme. Duke iu referuar Policisë lokale, ato shkruanin se forcat speciale të Policisë austriake kanë arrestuar në Korneuburg, në veri të Vjenës, Blenard Fejzulla, teksa ai ishte i vetëm në një makinë. “Ai konsiderohet ende si një nga trafikantët më të rrezikshme të drogës, edhe pse nuk ka prova nëse ai e ka vazhduar veprimtarinë gjatë dhjetë viteve në arrati, pasi hetimi që zbuloi organizatën ku ai merrte pjesë daton në vitet 2000- 2001”, shkruanin dje mediat italiane.

Blenard Fejzulla, 40- vjeçar, i cili përdorte edhe emrin e rremë, Ermal Mali, tashmë do të vuajë 12 vjet burg për trafikim ndërkombëtar të drogës, në bazë të një vendimi të lëshuar në vitin 2006 nga Gjykata e Milanos.  Mediat raportonin dje se Fejzulla shumicën e viteve që ka qenë në kërkim i ka kaluar në Shqipëri, në qytetin e Fierit, si dhe ka vizituar disa herë Italinë e Europën Qendrore.

HETIMI

“Dhjetë vjet në mes të ‘jetës së mirë’ (në saje të parave të heroinës) dhe frikës se mund të zbulohej në çdo moment. Dhjetë vjet me vëmendje maksimale dhe sjellje të kontrolluara, për shkak të frikës se do ta kapnin. Blenard Fejzulla nuk mbante më shumë se 2-3 ditë të njëjtin telefon, të njëjtën makinë, të njëjtin vend qëndrimi”, shkruanin dje mediat italiane. Hetuesit kanë zbuluar se ai ka mbajtur afër një rrjet të ngushtë miqsh, por ka komunikuar vazhdimisht me ta duke ndryshuar profilet në rrjetet sociale.

Për këtë arsye Policisë iu desh një kohë e gjatë derisa arriti në arrestimin e tij. Në mars të vitit 2016, Fejzulla është zbuluar dhe që nga ajo kohë janë mbajtur nën kontroll të gjitha lëvizjet dhe bisedat e tij. E kaluara e tij kriminale, sipas Policisë italiane, është e një niveli të lartë. Që në fillim të vitit 2000 ai u bë pjesë e një hetimi të gjerë, pasi dyshohet se kishte trafikuar sasi të mëdha heroine nga Afganistani. Madje duke e marrë personalisht nga duart e talebanëve. Fillimisht e ka trafikuar në Shqipëri e nga këtu e ka nisur drejt vendeve europiane, përfshirë edhe Italinë. Por nuk ishte vetëm heroina specialiteti i tij, ai trafikoi për herë të parë në BE edhe të ashtuquajturën “kokainë rozë” me origjinë nga Bolivia, që konsiderohet me cilësi shumë të lartë dhe për këtë arsye shumë e shtrenjtë në tregun me pakicë.

KODET

Sipas Policisë italiane, për të komunikuar me furnizuesit dhe konsumatorët, Blenard Fejzulla përdorte një metodë, që rezultoi e suksesshme për të, me mesazhe në rrjetet sociale. Porositë e tij dhe çdo komunikim tjetër ai e shkruante në e-mail dhe mesazhin e linte të ruajtur te “draft”, në mënyrë që marrësi, i cili kishte të njëjtin fjalëkalim me të, mund ta lexonte atë. Kjo metodë përdorej për të parandaluar opsionin “dërgo” e-mailin, në mënyrë që të mos përgjohej nga grupi hetimor. Sipas Policisë italiane, e njëjta metodë është përdorur edhe nga “Al Kaeda”, për shembull (por jo vetëm) nga qeliza përgjegjëse për sulmin më 11 shtator 2001, në Kullat Binjake, në Amerikë. Për hetuesit, të cilët kanë ndjekur çështjen, kjo do të jetë një provë e mëtejshme e rreziqeve që paraqit trafikanti i drogës, që dyshohet se e ka mësuar këtë teknikë komunikimi nga organizata terroriste ./ Panorama