Arrestohet në Izrael miliarderi Beny Steinmetz – njëri nga pronarët e Ferronikelit

Miliarderi izraelit Beny Steinmetz, njëri ndër pronarët e “Feronikelit” në Drenas, është arrestuar sot nga policia e Izraelit për shkak të korrupsionit që përfshin dhjetëra miliona dollarë.

Periskopi.com Lajme

Feronikeli, minierë në Kosovë, është në pronësi të “Benny Steinmetz Group Resources Ltd”(BSG) dhe “International Mineral Resources” (IMR), pronë e Alexander Mashkevich, një hebre kazak, që ka edhe shtetësinë izraelite.

Gazeta izraelite online “Haaretz” duke shkruar për këtë arrestim, nuk ka saktësuar që Beny është edhe pronar i “Feronikelit”. Lajmi vijon më poshtë ↓

Steinmetz dyshohet për dhënien ryshfet zyrtarëve në Guine dhe për shpëlarje të parave. Shtëpia dhe zyra e tij janë bastisur sot në mëngjes nga policia. Ai është dërguar në arrest shtëpiak nga një gjykatë izraelite.

Dy pasaportat e tij, izraelite dhe franceze, u konfiskuan dhe atij i është ndaluar që të largohet nga Izraeli për 180 ditë. Po ashtu, atij i është caktuar edhe një gjobë prej 50 milionë shekelë (valutë izraelite) para të gatshme (mbi 12 milionë euro) dhe 50 milionë shekelë shtesë me prona. Ai këtë gjobë ka kohë vetëm tre ditë për ta paguar.

Beny Steinmetz zotëron një kompani minerare që kishte fituar të drejtat minerare në Guine.

Ai dhe disa izraelitë të tjerë janë të dyshuar se kanë paguar ryshfet dhjetëra miliona zyrtarëve në Conakry, kryeqyteti i Republikës së Guinesë, në këmbim për ndihmën e tyre që këta biznesmenë të arrijnë interesat e tyre biznesore në këtë lokacion.

Hetimi është duke u zhvilluar së bashku me zyrtarët e zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Guineja, si pjesë e një shtytje botërore të udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) për të adresuar korrupsionin zyrtar në shtetet anëtare, raporton “Haaretz”.

Në Izrael, njësia policore kundër mashtrimeve është duke punuar me prokurorët e shtetit dhe zyrtarët e taksave lokale.

Hetimi është bërë publik sot (e hënë). Në këtë hetim të fshehtë janë gjetur prova që mbështesin dyshimet, thotë policia. Të tjerët pritet të thirren për t’u marrë në pyetje pasi që hetimi është duke vazhduar.

Kompania minerare BSG Resources ka thënë në një deklaratë se arrestimi i Steinmetzit ishte “si pasojë e vazhdueshme dhe BSGR beson se këto hetime përreth ryshfetit dhe korrupsionit kundër kësaj kompanie janë të vjetruara”. BSGR shtoi se beson se këto akuza janë të pabaza.

Steinmetz së fundmi është thënë se ishte i përfshirë në një histori të korrupsionit në Afrikë, si pjesë e një përplasje me konkurrentët.

Sipas disa raportimeve, konkurrentët e Steinmetzit kanë shpenzuar miliona për të krijuar një komplot kundër tij dhe për të parandaluar një nga filialet e tij e cila ka fituar kontratë lakmuese.