ANALIZË | Tendencë e MASHT-it, jo cilësia në arsim por përforcimi i klientelizmit

Periskopi Editoriale

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) duket se ka qenë në dijeni për gjendjen e rëndë në sistemin arsimor që në vitet e para të pas-pavarësisë së vendit. Kjo evidentohet nga një numër i madh Udhëzimesh Administrative [UA] të bëra përgjatë kësaj dekade.

Një qytetar i interesuar për hapat që po ndërmerr institucioni përgjegjës për cilësinë e arsimit, sapo futet në vegëzën ose dritaren e Udhëzimeve Administrative, do të mbetej i shqetësuar. Që në emërtimet e këtyre udhëzimeve kemi qasje joserioze që nuk respekton normat drejtëshkrimore. Në disa emra ‘ë’-ja zëvendësohet me ‘e’ ndërsa në raste tjera fjalitë nuk shkruhen si duhet: për shembull, në vend të ‘cilësisë’ shkruhet ‘cilësis’ ose në vend të ‘përgjegjësitë’ shkruhet ‘përgjegjësit’.

Sot u raportua se kishte përplasje mes Sindikatës së mësimdhënësve (SBASHK) dhe MASHT-it në lidhje me testimin eventual që do t’iu bëhej të parëve. U mësua që kjo nuk kishte ndodhur deri tash, meqë Ministria po priste një fondacion nga Banka Botërore – siç u shpreh këshilltari i ministrit Valmir Gashi.

Rrahman Jashari nga SBASHK-u ka thënë që sindikata ishte kundër një vlerësimi të mësimdhënësve me test dhe me shkrim, mirëpo nuk tregoi arsyet e këtij kundërshtimi. Ai ka kërkuar një monitorim ku do të evidentoheshin mangësitë eventuale. Duket se shqetësimi i Jasharit është në prishjen eventuale të strukturës së mësimdhënësve, dhe jo në cilësinë e arsimit në vetvete.

Sidoqoftë, përplasja duket se qëndron e inskenuar në një keqkuptim medial, ose në një paranojë të pakuptueshme, sepse MASHT-i nuk ka plane për një testim me shkrim. Udhëzimet Administrative të kësaj Ministrie, pra hapat për rritjen e cilësisë në arsim, të analizuara me kujdes nga Periskopi, tregojnë për diçka edhe më të tmerrshme: tendencën për përforcimin e mëtejmë të skemave të punësimeve partiake.

Ashiqare, hapur e qartë, partitë politike që ishin në pushtet gjatë dhjetë viteve të fundit, kanë pasur një marrëdhënie jonormalisht të afërt me mësimdhënësit. Hashim Thaçi, organizonte ahengje e darka me ta, madje edhe në kohë të fushatave zgjedhore. Dhe ngjashëm kanë vepruar edhe kryetarët e komunave të ndryshme të Kosovës. Shumica e drejtorëve të shkollave nëpër komuna të vendit i takojnë partive që qeverisin me ato komuna. Është e qartë se këto parti politike i kanë përdorur institucionet arsimore për të shtrirë pushtetin, duke punësuar militantë e përkrahës në role të mësimdhënësve, drejtorëve e zëvendësdrejtorëve.

Udhëzimi Administrativ i majit të vitit 2013, “Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve” ka për qëllim “elaborimin e sistemit të vlerësimit të performancës së mësimdhënësve në Kosovë”. Por, ky lloj elaborimi që u vendos të hynte në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të ministrit është tepër i çrregullt dhe i mangët në shpjegimet që bën. E megjithatë, ilustron shumçka.

Ky vlerësim përfshin si pikë të parë ‘vetëvlerësimin’. Pra, procesin në të cilin mësimdhënësit e vlerësojnë veten e tyre. Fare natyrshëm shtrohet pyetja: qysh mund të pritet që këta mësimdhënës ta vlerësojnë dobët ose jokënaqshëm performancën e tyre?

Por të shohim më nga afër ‘katër instrumentet’ e vlerësimit të performancës që përshkruhen në Udhëzim. Pëveç ‘vetëvlerësimit’, aty si instrumente definohen edhe ‘vlerësimi i drejtorit të shkollës’ dhe inspektimi/hospitimi në klasë/orë mësimore’, dhe për çudi ‘planifikimi dhe realizimi i tërësisë mësimore’.

Tri instrumentet e para përmbajnë të parakuptuara [e dyta edhe të thënë shprehimisht] atë që kryen detyrën. Te e para, vetë mësimdhënësin; te e dyta drejtorin e shkollës dhe te e treta inspektorët e arsimit. Por te e katërta nuk ka një subjekt që kryen ‘planifikimin dhe realizimin e tërësisë mësimore’ – gjë e cila përbën një shkarje logjike. Ndërkohë, nëse arbitrarisht e vendosim sërish mësimdhënësin si subjekt të pikës së katërt, marrim vesh që kemi një shkarje tjetër logjike, kësaj here me pikën e parë ku mësimdhënësi vetëvlerësohet.

Ndërlidhja që provon të krijojë ky Udhëzim vetëm sa e përforcon skemën klienteliste të partive politike në pushtet. Inspektori, siç përshkruan pika e shtatë e nenit 9, thotë që ora e mësimit të cilën e hospiton inspektori duhet të jetë në kuadër të njësisë që e përshkruan vetë mësimdhënësi në formularin e planifikimit dhe zbatimit të tërësisë mësimore. Pra, mësimdhënësi e zgjedh vetë cilën orë mësimore dëshiron ta ligjërojë, ose se kur të testohet nga inspektorët. Kjo i jep mundësinë atij që të përgatitet pikërisht për atë orë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që ai do të jetë i mirë e i përgatitur edhe në orët e tjera, kur nuk është i testuar. Poashtu, drejtori i shkollës – e ne e dimë se shumica janë pjesëtarë të partive politike – bën intervistimin e mësimdhënësit. Se çka mund të përmbajë intervista mund të paragjykohet, e madje me të drejtë – duke marrë parasysh vendosjen e tyre me direktiva partiake. Zor të mendohet që këta drejtorë do të kishin guximin që të vlerësonin negativisht militantët e partive të tyre.

E megjithatë, edhe nëse ndonjë mësimdhënës dështon në këtë vlerësim, pika 2 e nenit 10, i lejon atij mundësinë që ta përpilojë një plan të përmirësimit dhe zhvillimit profesional në bashkëpunim me drejtorin e shkollës. Pra, nuk do të ketë përjashtime të njerëzve nga puna sado të paaftë të jenë ata. Nga e gjithë kjo krijohet mundësia e madhe, si në skenën e një interviste mes drejtorit dhe mësimdhënësit për performancën e këtij të fundit, ashtu edhe mes inspektorit të arsimit dhe mësimdhënësit, dhe në fund edhe me pikën 2 të nenit 10 që sapo e përmendëm – që të ketë hapësirë për intervenime dhe ndërhyrje politike. Më konkretisht, çelë hapësirën që një mësimdhënës i cili merr vlerësim të dobët të ndikojë përmes lidhjeve të tij te inspektorët, drejtorët e shkollave dhe fare në fund edhe te zyrtarët e MASHT-it. Me një fjalë, kjo vetëm sa e përforcon ndikimin e këtyre njerëzve – por duke mos ndryshuar asgjë në cilësinë e arsimit.

Te një Udhëzim tjetër Administrativ i vitit 2016, kemi një përmbysje të vlerësimit. Ministria e Arsimit nga përpjekja për t’i vlerësuar mësimdhënësit kërcen në përpjekjen për t’i vlerësuar shkollat/institucionet arsimore. Së pari duhet përmendur që ky Udhëzim Administrativ e krijon një personazh të ri: koordinatorin.

Dhe që në përshkrimin e kritereve për të, hasim në çudinë e parë: ky koordinator duhet të ketë përgatitje shkollore 4 vjeçare [e preferueshme profili arsimor] por përvojë të paktën 5 vjeçare si mësimdhënës. Mes kritereve ndodhet edhe një tjetër mjaft specifik: koordinatori duhet të ketë shkathtësi për menaxhim të konflikteve.

Dhe përsëri dalim te partitë politike: sepse ai që e emëron koordinatorin nuk është tjetërkush përpos drejtorit të shkollës. Dhe ai që mund t’ia ndërpres kontratën koordinatorit është pikërisht drejtori i shkollës dhe Drejtoria komunale përkatëse e arsimit. Pra, sërish e shohim ashiqare politikën duke i futur hundët në arsim. Dhe do të ishte e tmerrshme sikur ‘konfliktet e parashikueshme’ brenda shkollave të bëheshin pikërisht nga ata të cilët do të përjashtoheshin pa të drejtë duke u punësuar militantë të tjerë partiakë.

Brenda tekstit gjejmë poashtu edhe përsëritje të gjërave të njëjta, ndoshta sa për të mbushur faqet e sa për të lënë përshtypjen se po punohet. Ta zëmë në udhëzimin në fjalë, ritregohet që kemi një vlerësim të brendshëm dhe të jashtëm edhe në hyrje edhe në fund të tekstit. E më pas, megjithëse neni i parë i çdo udhëzimi i dedikohet qëllimit, dhe edhe në atë nen përshkruhet qëllimi – thuhet sërish në fund të tekstit që në mënyrë që qasja duhet të jetë zhvillimore dhe t’i shërbejë planifikimit zhvillimor të institucionit arsimor dhe sigurimit të cilësisë së sistemit arsimor.

Hapat për rritjen e cilësisë në arsim nuk mund të jenë të padhimbshëm për një numër të madh mësimdhënësish – duke marrë parasysh përgatitjen e dobët arsimore. Por, kjo është e domosdoshme sepse arsimi/edukimi i nxënësve nuk duhet të shërbejë si një strehë sociale për shoqërinë, përmes dhjetëra-mijëra vendeve të punës.

Rritja e cilësisë në arsim është e domosdoshme, por në vend të kësaj, tendenca e qeverisë është që të përforcojë rrjetën klienteliste të partive politike në fushën e arsimit.