bebe-ne-spital

Alarmante: Për tre muaj kanë vdekur 90 foshnje (Video)

Të dhëna alarmante për vdekje të foshnjave. Në tre muajt e fundit, në vend ka vdekur çdo ditë nga një foshnjë. Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, për tremujorin e tretë të këtij viti, në Maqedoni kanë vdekur 90 foshnja. Në periudhën e njëjtë vitin e kaluar, numri i vdekjeve ka qenë 39.

Periskopi.com Lajme

Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e shëndetit të nënave dhe fëmijëve, thonë se vitin e kaluar kishin alarmuar Institucionet për vdekshmërinë e lartë të fëmijëve të porsalindur, por në vend që kjo dukuri të përmirësohet, ajo edhe më shumë po vështirësohet.

“Nuk shohim se shteti dhe institucionet kompetente të kenë angazhim sistematik për përmirësimin e gjendjes, unë nuk e kuptoj se si mundet lajmet për vdekjen e foshnjave që i dëgjojmë çdo ditë të mos zgjojnë revoltë, shqetësim dhe të ketë iniciativë tek Institucionet e shtetit”, deklaroi Marija Bashevska nga Platforma për Barazi Gjinore

Sipas OJQ-ve një prej shkaqeve për vdekshmërinë e lartë të fëmijëve të porsalindur janë mungesa e gjinekologëve amë në më shumë se gjysmën e komunave në vend, kushtet e vështira në sallat e lindjes si dhe shkurtimin e parave nga programi për mbrojtje aktive të nënave dhe fëmijëve.

“Nuk kemi institucione funksionale gjinekologjike, edhe aty ku kemi, kushtet jashtë klinikës në Shkup janë shumë të vështira, vetë e kemi vërejtur nga fotografitë që i kanë dërguar pacientët, kushtet janë katastrofale”, shtoi Marija Bashevska.

Vdekshmëria e foshnjave vitet e fundit shënon rritje. Në vitin 2011 kanë vdekur 172 foshnja, në vitin 2015, 198 ndërsa në nëntë muaj e parë të këtij viti kanë vdekur 206 foshnje të porsalindur. Përkundër pyetjeve tona drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e numrit të foshnjave të vdekur, nga ky dikaster heshtin.