????????????????????????????????????

Agjencia e Statistikave gënjen për papunësinë në Kosovë

Nëse është për t'u besuar raporti i fundit i Agjencisë se Statistikave të Kosovës, prej janarit të këtij viti e deri më tani, në Kosovë do të duhej të ishin punësuar gjithsej 45 mijë persona.

Periskopi.com Lajme

Kështu, pasi papunësia sipas ASK-së, tash del të jetë 26.2 për qind, nga 32.9 për qind sa ka qenë në fund të vitit 2015, shkruan Gazeta Fjala.

Agjencia e vetme zyrtare e të dhënave statistikore thotë se për gjashtë muaj  papunësia ka rënë për 7 për qind, e që për njohës të ekonomisë vlerësohet e pamundur. Madje thonë se ASK po fabrikon të dhëna për interes të qeverisë.

Gazeta ka llogaritur të dhënat e publikuara nga ASK dhe ka krahasuar me vitet e kaluara, por rënia kaq e madhe e papunësisë duket e pazakontë.

Sipas parashikimit të ASK-së në vitin 2014 Kosova ka pasur 1,804,944 banorë. Prej tyre 682,269 banorë të aftë për punë.

Me shkallë të papunësisë të llogaritur nga ky institucion prej 32.9 për qind, të papunë në Kosovë me 31 dhjetor të vitit 2015 kanë qenë 224, 466 banorë.

Por, vetëm gjashtë muaj më vonë papunësia bie në 26.2 për qind.

Tani sipas ASK-së del se në Kosovë janë të papunë 178, 754 qytetarë që i bie se për gjashtë muaj janë punësuar 45,712 qytetarë.

Ekspertërt: Këto janë shifra të frabrikuara

Gazeta e Fjala kishte raportuar edhe vitin e kaluar për mashtrim me shifrat e papunësisë nga ky agjencion. ASK kishte hequr mbi 48 mijë qytetarë nga tregu i punës për të zvogëluar shkallën e atyre që kërkojnë punë.

Kështu, përderisa në vitin 2014 sipas ASK-së 41.6 për qind, apo 500,251 qytetarë ishin aktiv për punë, një vit më vonë ky numër ka rënë në 452,135 qytetarë aktiv.

Por, në raportin e fundit nuk është shtuar numri i atyre që llogariten si jo aktiv në tregun e punës.

Ibrahim Rexhepi thotë se ka dyshime në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pasi siç thotë ai ajo nuk ka qenë konsistente dhe nuk ka arritur të krijoj besueshmëri në statistikë dhe në prezantimin e situatës siç edhe është.

“Për mu është shumë e dyshimtë. Ma shumë besoj që mund të jetë shifër e fabrikuar sesa që paraqet realitetin”, ka thënë Ibrahim Rexhepi, njohës i ekonomisë.

Sipas Rexhepit, nuk kemi parë ndonjë zhvillim të madh në Kosovë, që do të mund t’i arsyetonte këto shifra.

Shifrat e publikuara sipas tij janë pasqyrim i evidencave nëpër zyrat për punësim, dhe asesi nuk e paraqesin gjendjen reale në terren.

Por edhe nëse ka rënë papunësia, Rexhepi shtron një dilemë tjetër.

“Nëse paska rënë papunësia ku janë punesu ata njerëz. Trusti nuk e nxjerr ketë shifër”, tregon ai.

ASK e MPMS me shifra të kundërta

Ndërkohë dyshimet shtohen edhe më shumë nëse shikohet raporti i Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2015 ku dalin shifra të kundërta sa i përket përsonave të regjistruar në zyrat për punësim.

Sipas këtij raporti, numri i përgjithshëm i te papunëve te regjistruar nga shërbimet publike te punësimit deri në fund te vitit 2015 është 112.179 persona, ku prej tyre femra janë 48.960 ndërsa mashkuj 63.219 persona.

Njohësit e ekonomisë rikujtojnë se në fund të muajit dhjetor të vitit 2015 qeveria e Kosovës deklaroi se në vend u punësuan afër 17 mijë qytetarë.

Kjo sipas tyre është një dëshmi e mirë që konteston të dhënat e reja për shkallën e papunësisë në Kosovë, ku nuk janë krijuar mundësi për absorbim të qytetarëve që kërkojnë punë. /Gazeta Fjala/