Demarkacioni

AAK-ja e betonuar në qëndrimin e saj për demarkacion, para Komisionit për matje territori kërkon procese tjera

Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka qenë më e zëshmja në lidhje me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi mbetet e betonuar në qëndrimin e saj rreth kësaj teme.

Periskopi.com Lajme

 

Portali Koha.net ka komunikuar me zëdhënësin e AAK-së dhe anëtarin e Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, i cili ka sqaruar situatën pas thirrjes së kryeministrit Mustafa për të krijuar një Komision Qeveritar për matjen e territorit.

Ai ka thënë se ky është një ofendim i ri për Kosovën, duke tentuar që të legjitimojë teorinë që Kosova nuk ka humbur territor.

“Përpjekja e Kryeministrit Mustafa, për të na bindur që Mali i zi është rritur por nuk është zvogëluar Kosova, është ofendimi i radhës që ky njeri provon t’ia bëjë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përpjekja e radhës e Kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Çakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidh një çështje jetike për vendin në të cilin, ai e bart postin e kryeministrit”, ka thënë Nitaj për Koha.net.

Nitaj ka përsëritur atë që AAK për disa herë e ka thënë që nuk bëhet asnjë hap tjetër në këtë proces, pa u shkarkuar Komisioni Qeveritar për Demarkacionin me Malin e Zi, të udhëhequr nga Murat Meha dhe duke pranuar dështimin e marrëveshjes.

“Nuk mund të bëhet asnjë komision pa u shkarkuar Komisioni „Meha“. Nëse ai paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision që ë trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me tërësinë tokësore të Shtetit të Kosovës”, ka shtuar Nitaj, teksa ka përfunduar duke thënë “kjo është boll ma dhe duhet të ndërpritet menjëherë!”.