AAK NISMA

AAK e Nisma nuk pranojnë komision të ri për demarkacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën e kanë quajtur mashtrim të radhës, idenë e kryeministrit të Kosovës që të formohet një komison për të bërë matjen nëse Kosova ka humbur territor nga Demarkacioni me Malin e Zi.

Periskopi.com Lajme

Në komunikatën e dy partive opozitare thuhet se ky propozim tregon papërgjegjësi prej burrështetasit.

“Përpjekja e radhës e Kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Cakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë, është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidh një çështje jetike për vendin në të cilin, ai e bart postin e kryeministrit”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, AAK e Nisma shprehen se pa shkarkimin e Komisionit Shtetëror nuk mund të bëhet asnjë komision tjetër.

“Nuk mund të behët asnjë komision pa u shkarkuar Komisioni „Meha“. Nëse ai paska vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e marrëveshjes për kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision që ë trajton këtë çështje nga e para, e jo do farë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje që është në kundërshtim me terësinë tokësore të Shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se nëse është nevoja do të formojnë një komision për të bërë mbajtën nëse Kosova ka humbur territor, ku ka ftuar edhe opozitën të jenë pjesë e tij.