Astrit Dehari

18 mijë nënshkrime në peticionin “Drejtësi për Astritin”, mblidhen edhe nesër

Organizatorët e peticionit që thërret për “Drejtësi për Astritin”, përmes një njoftimi për media ka njoftuar se mbledhja e nënshkrimeve do të bëhet edhe nesër, në pikat qendrore në Prishtinë, si dhe në tri qytete të tjera.

Periskopi.com Lajme

Për katër ditë, janë mbledhur rreth 18 mijë nënshkrime.

Pas përfundimit të protestës #DrejtësiPërAstritin, shoqëria civile bëri thirrje për nënshkrimin e peticionit që ishte përgatitur mbi këto pika:

  1. Hetim të pavarur dhe transparent për rastin sa më parë
  2. Dorëheqjen e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për mosgatishmërinë morale e ligjore për të kërkuar dhe dhënë përgjegjësi.
  3. Fillimin e menjëhershëm të ndjekjes penale të përgjegjësve që dështuan të garantojnë sigurinë e jetës së Astritit në institucionet e shtetit dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës në tërë zinxhirin hierarkik për mos trajtimin dinjitoz të Astritit në qendrën e paraburgimit edhe pas vdekjes së tij.
  4. Kryesia e Kuvendit të Kosovës në bazë të Nenit 38, paragrafit 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, të thërras mbledhje të jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

“Aktivistët e shoqërisë civile do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, më datë 28 nëntor, me mbledhjen e nënshkrimeve në disa pika në Prishtinë: Sheshi Skënderbeu, Sheshi Zahir Pajaziti, Sheshi Nënë Tereza, Para Pallatit të Rinisë, përball Rektoratit dhe te Lesna.

Po ashtu nënshkrime do të mblidhen edhe në Gjakovë: te Parku i Qytetit, Sheshi Nënë Tereza dhe Qarshi të Vogël, nga ora 10:00; në Podujevë: Sheshi i qytetit, nga ora 10:00; në Ferizaj: në qendër tek Posta dhe tek në nënkalimi, nga ora 10:00.

Astrit Dehari vdiq në ditën e 5 nëntorit kohë sa po qëndronte në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Raporti i autopsisë ka gjetur se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia e shkaktuar nga vet 26 vjeçari, por familja Dehari e lëvizja Vetëvendosje pjesë e të cilës ishte ai nuk po e pranojnë këtë version.