20161128191050225646

104 vjet nga shpallja e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar

Janë bërë plot 104 vjet prejse një Asamble Nacionale shqiptare e mbledhur në Vlorë, kishte shpallur krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Periskopi.com Lajme

Në tetor të vitit 1912, shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, kur Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia i shpallën luftë Perandorisë Osmane me qëllimin për të përvetësuar territoret evropiane të saj, e ku hynin edhe ato shqiptare, raporton KTV.

Më shumë se 25 mijë shqiptarë do të vriteshin nga ushtritë e Aleancës Ballkanike, sidomos nga armata e Mbretërisë Serbe, e cila brenda një muaji do të pushtonte krahinën e Kosovës dhe gjithë Shqipërinë Verilindore, rrugës së saj për të arritur në Adriatik.

Përballë kësaj situate, patriotë nacionalistë shqiptarë, do të viheshin në lëvizje për të krijuar një shtet shqiptar, të paktën në territoret ende të papushtuara.

Ismail Qemal Vlora, një politikan shqiptar që kishte mbajtur një sërë pozitash publike në institucionet osmane ndër të cilat kryetar i parlamentit osman, do të udhëtonte drejt Vjenës, atëherë kryeqendër e Austro-Hungarisë, shtetit që kishte përkrahur më së shumti nacionalistët shqiptarë.

Në një takim me ministrin e jashtëm austro-hungarez, Lopold Berthold në Vjenë, Ismail Vlora do të merrte mbështetje diplomatike, në rast se shqiptarët do të krijonin një shtet të tyre.

Me t’u kthyer përmes Triestes në Durrës më 25 nëntor, Qemali do të bënte thirrje për mbledhjen e një kuvendi gjithëkombëtar në Vlorë.

Në mbrëmjen e 27 nëntorit, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, Dhimitër Zografi dhe dhjetëra patriotë, arrin në Vlorë.

Të nesërmen, më 28 nëntor 1912, asambleja kombëtare hapi punimet në një mbledhje në selamllëkun e sarajeve të familjes Vlora.

Të pranishëm ishin 43 nga 80 delegatët e Kuvendit, të cilët unanimisht siç shkruhet në aktin e vendimit, “venduan që Shqipëria më sot, të bëhet e lirë dhe e mosvarme”.

Ky akt shënonte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, ndonëse përveç Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, e gjithë pjesa tjetër ishte e pushtuar nga serbët, malazezët dhe grekët.

Pak ditë më pas, më 4 dhjetor, Kuvendi i Vlorës mandatoi për kryeministër Ismail Qemal Vlorën, i cili në qeverinë e parë shqiptare përfshiu si ministra: Dom Nikoll Kaçorrin, Luigj Gurakuqin, Mehmet Dërrallën, Elefter Nosin, Abdi Toptanin, Pandeli Calen, Petro Pogan, Myfit Libohovën dhe Mithat Frashërin.

Në prill të 2013-s, Qeveria e Ismail Qemalit, do të vendosej në karantinën e portit të Vlorës.

Ndërkohë, në dhjetor të 1912-s, diplomatë të Britanisë së Madhe, Austro-Hungarisë, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë, do të mblidheshin në Londër për të vendosur nëse do të njihnin shtetin e sapo krijuar shqiptar.

Pas më shumë se 7 muaj bisedime, më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi të njihte Principatën e Shqipërisë nën garancinë e këtyre gjashtë shteteve, por duke lënë jashtë kufijve të saj 2/3 e territorit shqiptar.

Po ashtu, ata dërguan në Vlorë një Komision Ndërkombëtar të Kontrollit, për të mbikëqyrur punën e Qeverisë shqiptare.

Një vit më pas, në janar 1914, ky komision mori shtetin në duar, kur e detyroi kryeministrin Ismail Qemali të dorëhiqej kur ky i fundit u zbulua se kishte bashkëpunuar me oficerin Beqir Grebeneja për një aksion që dilte nga një traktat turko-bullgar.

Pavarësisht se dy muaj më pas në krye të Shqipërisë erdhi një princ gjerman, Wilhelm Wied, 28 nëntori i vitit 1912 ka ruajtur peshën si datë historike, pasi shënon ditën kur Kuvendi Kombëtar në Vlorë, hodhi themelet e shtetit modern shqiptar.