1 miliard euro në 4 vjet? Shumë pak

Edi Rama ka thënë se do investojë 1 miliard euro për katër vitet e ardhshme. Pyetja është; kaq pak? Shqipëria në katër vitet e ardhshme do ketë mbi 40 miliardë euro GDP ,apo prodhimin e përgjithshëm bruto.

Ben Blushi Opinione

Në katër vitet e ardhshme buxheti i shtetit do jetë mbi 18 miliardë euro. Në katër vitet e shkuara Edi Rama ka marrë më shumë se 1miliard e gjysmë euro borxh.

Vetëm Kryeministria e ka koston vjetore 27 milion euro dhe në katër vitet e ardhshme do kushtojë të paktën 100 milion euro. Pra të investosh për rruge, spitale, shkolla dhe teknologji vetëm dhjetëfishin e asaj që kushtojnë makinat dhe tapetet e Kryeministrisë është shumë pak.

Askush nuk mund t’ja kalonte Edi Ramës në këtë rekord negativ. Shqipëria mund te investojë kaq pak, pra 250 milion euro në vit edhe duke mos patur fare Kryeministër.

Pyetja për këto katër vite që vijnë, është kush investon më shumë, në ç’mënyrë dhe ku? Shqipëria ka nevojë për Rindërtim Total. Ky është projekt kombëtar që mund te kthejë në shtëpi emigrantët, mund të hapë mijëra vende pune,mund të pasurojë kompanitë shqiptare dhe të joshë investime të huaja. Sa para duhen? 1 miliard ne vit ose10 miliard euro për një dekadë. Vetëm kështu mund të kthehemi në një vend modern dhe një ekonomi e qëndrueshme. A gjenden? Sigurisht.

Ato janë në Shqipëri dhe do gjenden duke i bërë shqiptarët aksionarë në vendin e tyre. 1 miliard euro investime çdo vit do prodhonin të paktën katër herë më shumë sepse siç thonë gjermanët çdo markë e investuar mirë duhet të prodhojë të paktën 4 marka.

Këtë do bëjmë dhe ne në dhjetë vjet që Shqipëria të behet dhe mos rrënohet duke investuar më shumë për libra se për palma, më shumë për detin se për pishina, më shumë për pastrim se për manikyr!